Oligarkët nuk qajnë kokën për grevën, fëmijët i kanë në shkolla private!

  • 21 January 2019 - 16:52
Oligarkët nuk qajnë kokën për grevën, fëmijët i kanë në shkolla private!

Më shqetësuese se greva që ka paralizuar sistemin arsimor, është indiferenca e pushtetit. Qeveria më tepër ka bërë përpjekje përmes disa statuseve në rrjetet sociale që t'ua ndalë hovin sindikalistëve, sesa ka shfaqur seriozitet në trajtimin e kërkesave legjitime të SBASHK-ut. Por, përse vallë një injorim kaq skandaloz i kësaj situate emergjente?! Oligarkët kosovarë, e para nuk e ndjejnë në lëkurën e tyre efektin e grevës dhe si rrjedhojë, edhe nuk mërziten nëse bllokada vazhdon me javë e muaj të tërë. Fëmijët e pushtetarëve kosovarë nuk e dinë çka është çerdhja publike, shkolla e shtetit. Politikanët milionerë të Kosovës i shkollojnë fëmijët e tyre në institucione arsimore private, ku një vit kushton pesë mijë euro. Aq nuk i kursen një mësues për një dekadë! Së dyti, liderët kosovarë aktualisht janë të zënë me telashe të tjera, që kanë të bëjnë me luftën e tyre të egër për pushtet. Kryeministri, me siguri, po ta pyesin për grevën në arsim, do të shprehej si për disa zëvendësministra që deklaronte se nuk i njihte. Ai është i shqetësuar me zërat se së shpejti mund të shkarkohet nga posti, sepse po fajësohet se me vendimet populiste dhe kryeneçësinë e tij ka përkeqësuar raportet e Kosovës me SHBA-në dhe BEnë. Së treti, për të qenë realistë edhe ndaj SBASHK-ut, qeveritarët do të duhej ta rishikonin tërësisht Ligjin e pagave, duke vendosur një raport të drejtë mes pagës së një ministri dhe një arsimtari. Por, nëse e bëjnë këtë, do të dëmtojnë interesa të grupeve të interesit, klientelës, etj. Arroganca qeveritare i ka bërë shtresa të ndryshme sociale, përfshirë arsimtarët e mllefosur, më të vendosur se kurrë për të mos lejuar poshtërim nga oligarkët. Por, me gjasë vetëm kjo formë reagimi, përmes bojkotit të mësimit, do të jetë e pamjaftueshme. 

 

(Kosova Sot)