Arrogancë dhe injorancë qeveritare

  • 22 January 2019 - 16:53
Arrogancë dhe injorancë qeveritare

Kush bën punë shteti, do rritje pagash çdo vit. Kjo është bërë e zakonshme tashmë. Ani pse rritja ekonomike mundëson një indeksim të pagave tre deri katër për qind, por jo më shumë. Politika kosovare ka arritur të krijojë një mentalitet të tillë në tërë sektorin publik, duke shtuar kështu frustrimin në radhët e shërbyesve civilë, mësuesve, mjekëve, zjarrfikësve,minatorëve, etj. Hendeku i madh, që ka krijuar shteti mes shumicës dhe pakicës, ka grumbulluar pakënaqësi të jashtëzakonshme sociale. Për qytetarët që marrin një rrogë mesatare sa për të mbijetuar, pak rëndësi ka argumentimi financiar i Qeverisë, se buxheti nuk përballon vrullin e kërkesave për rritje të koeficienteve në të gjithë sektorët.

Ka një dallim mes rritjes, qoftë edhe trefishimit të rrogave të kryeministrit dhe çetës së tij dhe një rritjeje që prek qindra- mijëra punonjës buxhetorë. Në rastin e parë, efekti financiar është i vogël, por ndikimi socio-politik shumë i madh. Në të dytin, shteti mund të kolapsojë, sepse nuk ka para për rritjet e kërkuara. Megjithatë, shkaku kryesor i këtij konflikti me pasoja të paparashikueshme është keqqeverisja dhe arroganca e pushtetit. Kur një mësues që sot është në grevë e dëgjon ministrin e Infrastrukturës se si mburret që do të bëhet autostrada e tretë që kushton 1 miliard euro, me paratë e taksapaguesve kosovarë, nuk ka se si mos të besojë se edhe rroga e tij mund të rritet së paku 30 për qind.

"Kur këta një miliard i çojnë në disa kilometra asfalt, më të shtrenjtin në Evropë, përse nuk na i rrisin edhe neve pagat?!", është pyetja e natyrshme e një nëpunësi kosovar. Hendeku social është bërë gjithnjë e më i thellë për shkak të qeverisjes populiste, rritjes artificiale të rrogave për efekt elektoral dhe prishjes së balancës mes sektorëve. Një mësues apo mjek, që e ka shkrirë jetën në profesionin e tij, nuk mund të ndihet mirë kur e sheh në listën e koeficienteve se një shofer pa shkollë është para tij!

 

(Kosova Sot)