Republika Socialiste e Kosovës

  • 04 shkurt 2019 - 16:39
Republika Socialiste e Kosovës

Pushteti e konsideroi historike votimin brenda një nate të disa ligjeve, të miratuara pas shantazhit të PSD-së, një parti e drejtuar prej Shpend Ahmetit, që po realizon interesat e saj biznesore, duke kushtëzuar Qeverinë aktuale, e cila është në krizë numrash në Kuvend. Edhe pse Socialdemokratët po përpiqen ta shesin në opinion, si politikë të dobishme, partneritetin e tyre me ekzekutivin, në fakt e vërteta është ndryshe. Kryeministri u detyrua ta shkarkojë ministrin serb të Bujqësisë, Rikallon, por nuk pati kurrfarë kushtesh për ministrat e tjerë që janë me aktakuza, të dyshuar për korrupsion e keqpërdorime. Me gjasë, këta të tjerët nuk janë pengesë për bizneset e pista të klanit "Coca Cola Zero". E dobishme për qytetarët dhe e sinqertë për një parti të vërtetë opozitare do të ishte shkarkimi i të gjithë qeveritarëve që janë në shënjestër të drejtësisë për abuzimet e tyre me pushtetin. Së dyti, votimi i Ligjit për pagat në sektorin publik, që ka bërë edhe një nivelim të tyre, e ka goditur sërish sektorin privat, ndërsa e ka përforcuar luksin e parisë shtetërore.

Dhjetëra mijëra të punësuar në shtet, agjenci dhe kompani publike përfitojnë nga ky ligj, mbi kurrizin e qindra mijërave të tjerëve që mbajnë gjallë sipërmarrjen private. Ky pushtet e ka demotivuar shpirtin e biznesit të lirë, duke e thelluar hendekun mes të punësuarve që paguhen nga shteti dhe atyre që paguhen nga privatët. Tendenca e politikës së mbrapshtë, për të blerë gjithnjë paqen sociale me buxhetin e taksapaguesve, po krijon një gropë të madhe buxhetore. Më tepër se 60 për qind e buxhetit shkojnë për paga dhe kategoritë e ndryshme sociale, kurse pjesa tjetër për mallra e shërbime apo ndonjë investim kapital. E pra, ky nuk është buxhet i zhvillimit, por i stagnimit. Ky nuk është buxhet për nxitjen e prodhimit, por për blerjen e votës dhe shkatërrimin e ekonomisë. PSD-ja u bë pjesë e këtij hapi të gabuar, për interesat e saj klienteliste, të njohura tashmë, por të paktën mos të na shesë moral. Edhe dy kushtet e tjera, për Ligjin e dialogut dhe Kodin pensional, lidhen tërësisht me pazare të ulëta që janë bërë në prapaskenë, pasojat e të cilave do të shihen muajve të ardhshëm.

 

(Kosova Sot)