Veting në drejtësi dhe në polici

  • 09 February 2019 - 16:02
Veting në drejtësi dhe në polici

Seanca e zbehtë e Kuvendit të Kosovës për rastin e rëndë të abuzimit të dyfishtë seksual të një nxënëseje në komunën e Drenasit, është edhe një tregues tjetër i indiferencës shtetërore ndaj problemeve me të cilat përballet shoqëria kosovare. Përfaqësimi i sovranit kurrë nuk ka qenë më i dobët dhe deputetët asnjëherë më parë nuk kanë rezultuar më të papërgjegjshëm. Ligjvënësit kosovarë ngjajnë më tepër me disa figura shahu, që presin të zotët t'i lëvizin, mbarë apo mbrapsht. Zëri kritik mungon dhe kjo e bën edhe më të pashpresë ndryshimin me këtë klasë politike. Pozitë e opozitë nuk japi alternativë se si të dilet nga kjo krizë morale dhe ligjore, sociale dhe politike, humane dhe ekonomike. Qeveria vazhdimisht thellohet në afera, ndërsa opozita shfrytëzon momentin për të akuzuar pushtetin. Rrugëdalja mbetet e paqartë me këtë Kuvend, me këtë Qeveri. Askush nuk e përmend shtetin e së drejtës, bazamentin mbi të cilin ndërtohet një demokraci funksionale. "Thembra e Akilit" është drejtësia jonë apo thënë më mirë, sistemi i padrejtësisë.

Duke qenë një vend i vogël, të gjithë e njohin njëri-tjetrin dhe secilit mund t'i gjesh një lidhje, qoftë policit, prokurorit apo gjyqtarit të rastit. Politizimi dhe klanizimi në prokurori e gjykata, ryshfeti dhe shantazhet, e kanë sjellë në nivelet më të ulëta respektimin e të drejtave njerëzore. Për femrat, si gjithnjë, trajtimi është edhe më diskriminues. Dje u protestua dhe parullat godisnin edhe policët e arsimtarët. Shoqëria jonë duhet të ketë kujdes për të mos anatemuar kategori të rëndësishme, sepse nuk janë të gjithë përdhunues. Një dru i shtrembër e prish turrën vërtet, por një rast nuk mund të përgjithësohet gjithsesi. Protesta duhet të orientohet së pari për një reformë të thellë në drejtësinë kosovare dhe në policinë tonë. VETTING-u do të rezultonte me efekte shumë pozitive në largimin e elementëve inkriminues. Shteti duhet ta bëjë këtë dhe politika nuk duhet të heshtë, sepse pa drejtësi të pavarur, dënimin e merituar nuk e marrin asnjëherë banditët. 

 

 

(Kosova Sot)