Letra nga Amerika

  • 13 February 2019 - 16:38
Letra nga Amerika

Për Amerikën mund të duket e pabesueshme se çfarë është në gjendje të bëjë politika kosovare, por për qytetarët e këtij vendi asgjë nuk mund të jetë më një befasi nga ky pushtet i degraduar. Letra e radhës, që ka ardhur nga Uashingtoni, në prag të përvjetorit të 11-të të Pavarësisë së Kosovës, nuk ka si mos ta bëjë të ndihet shumë në siklet çdo shtetas kosovar. Edhe pse jemi shpallur më proamerikanët në botë, veprimet e Qeverisë e kanë shndërruar parinë e Republikës në gati antiamerikane. Refuzimi i sugjerimit të SHBA-së për çështjen e taksës ndaj Serbisë ka krijuar tashmë një çarje serioze në marrëdhëniet mes dy vendeve. Partneriteti në fushën e sigurisë praktikisht është vënë në pikëpyetje me anulimin e vizitës së një gjenerali amerikan, ndërsa një mbështetje disamilionëshe mund të dështojë për shkak të kryeneçësisë së Qeverisë së Kosovës. 

Nga ana tjetër, mund të priten veprime të tjera, në formën e sanksioneve të SHBA-së ndaj shtetit tonë, për shkak se mospezullimi i përkohshëm i taksës konsiderohet nga Departamenti i Shtetit se cenon interesat amerikane në Ballkan. Ky bajraktarizëm, që po e karakterizon kryeministrin aktual, nuk do të na sjellë gjë prej gjëje, përveç lajmeve të hidhura për anulime vizash, anulime vizitash, fondesh, partneritetesh jetike për Kosovën. Është e pafalshme për klasën politike kosovare, nëse nuk do të arrijë në mënyrë emergjente të reagojë dhe të gjejë një rrugëdalje për të mos i zbehur edhe më tej raportet me mikun më të madh të vendit tonë. Është e çuditshme se si Kuvendi, që është në gjendje të mblidhet me emergjencë për një nga dhjetëra abuzimet seksuale që ndodhin te ne, por nuk ka asnjë iniciativë për të debatuar në një seancë të jashtëzakonshme për rrezikimin e marrëdhënieve me SHBA-në. Deputetët duhet t'i japin një drejtim kësaj kryeneçësie, sepse Kuvendi është mbi Qeverinë. Momenti ka ardhur për t'i hapur rrugë dialogut dhe për të shpëtuar raportet e pazëvendësueshme me SHBA-në.

 

(Kosova Sot)