Platforma t'i nënshtrohet diskutimit publik

  • 14 February 2019 - 16:48
Platforma t'i nënshtrohet diskutimit publik

Ekipi negociator ka dorëzuar një platformë, të cilën është dashur ta bëjë publike, ku, sipas deklaratave të anëtarëve, nuk përmendet fare korrigjimi i kufirit. Sidoqoftë, mungesa e transparencës rreth këtij dokumenti të rëndësishëm për ecurinë e mëtutjeshme të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë hedh hije dyshimi mbi përmbajtje e tij. Fakti që edhe pas takimit të djeshëm të bashkëkryesuesve të Ekipit negociator me krerët e Republikës nuk kishte shumë deklarime, por një hezitim për të folur, tregon se mospajtimet mbesin të forta. Duke e ditur se presidenti Thaçi kërkon negociata për rishikimin e kufijve, kjo platformë zor se do të marrë mbështetjen e PDK-së, ku ndikimi i presidentit është ende i fortë. Kjo mund të jetë edhe arsyeja pse ky dokument nuk po lansohet publikisht, që edhe qytetarët të kenë mundësi ta shohin dhe të krijojnë përshtypjet e tyre. Gjithsesi, platforma që ende është draft, do të kalojë në Kuvendin e Kosovës për votim, por nxitimi për të proceduar e shton dyshimin për dobishmërinë e saj. Përveç jotransparencës rreth dokumentit në fjalë, problematike mbetet edhe përfaqësimi në Ekipin negociator që udhëhiqet nga dy parti të vogla, ndërsa njëra nuk është zyrtarisht, sipas KQZ-së, as parti parlamentare. Përfaqësimi i cunguar dhe jolegjitimiteti në Ekipin negociator e vështirëson përparimin në dialogun me Serbinë. Pra, platforma do të duhej t'i nënshtrohej një shqyrtimi publik para se të kalojë në Kuvend. Edhe një ligj pa ndonjë rëndësi të madhe kalon në shqyrtime publike, prandaj pse nuk u dashka që një dokument i tillë, me kaq peshë, të mos diskutohet me qytetarët?! Nga ana tjetër, shpejtësia me të cilën është bërë kjo platformë për dialogun me Serbinë, lë të kuptosh se përmbajtja mund të jetë shkel e shko. Gjithsesi, mbetet të shihet se si do të procedojë Kuvendi, ku me ndihmën e partisë së Shpend Ahmetit, sikurse Ligji për dialogun, pritet të miratohet edhe platforma përkatëse.

 

(Kosova Sot)