11 vjet Republikë, 11 vjet sundim mafio-oligarkësh

  • 17 February 2019 - 16:03
11 vjet Republikë, 11 vjet sundim mafio-oligarkësh

Kur i sheh sot rrahagjoksit për lirinë e pavarësinë e vendit, që mburren paturpësisht e shkelin mbi sakrificat e mëdha të këtij populli, bie natyrshëm edhe entuziazmi i festës. Dekada e parë e shtetësisë ishte një test i dobët për lidershipin kosovar, ndërsa fillimi i së dytës, provë e pakapërcyeshme në sajë të dështimit, korruptimit dhe kriminalizimit të institucioneve. Nuk kemi çka të fshehim! Kjo është e vërteta për Kosovën, shumë larg pritjeve të qindra e mijëra qytetarëve, që sot, në këtë përvjetor, në vend se të jenë të gëzuar, me hidhërim, mezi presin t'u jepet mundësia për ta braktisur Republikën. Qeveritë na vjedhin edhe për festë. Fondet që i ndajnë gjoja për organizime, zakonisht përfundojnë në xhepat e pushtetarëve dhe klientelës së tyre.

Zero transparencë! Zero përgjegjësi! Zero politikë! Plaçkitja është lajtmotivi i kastës që na udhëheq, zhvatja është normaliteti shtetëror, mashtrimi -atributi kryesor i politikanëve. 20 vjet pas luftës e 11 vjet pas shpalljes së pavarësisë, këtë vend e mban gjallë mërgata me mbi gjysmë miliardi euro në vit. Rritjet për të cilat flet Qeveria janë flluskë mashtruese, bashkë me fryrjen artificiale të pagave. Kaq keq jemi katandisur duke e ngrënë trupin e shtetit tonë, saqë me këtë ritëm nuk do të jetë e largët dita e falimentimit financiar dhe juridik, social e politik. Krizë në arsim, keq në shëndetësi, kaos në administratë, rrënim në kompani publike, degradim në ambasada, skandale seksuale gjithandej në zyrat shtetërore. Mbi të gjitha, ky lidership miliarderësh me rroga shteti e kanë vënë në pikëpyetje edhe këtë pavarësi të kompromiseve, duke na çuar drejt koncesioneve të reja. Hapja e statusit, nxjerrja e territorit në pazar me Serbinë, është goditja më e rëndë që i është dhënë shtetësisë. Urimi i vetëm që mund ta bëjmë me plot gojën është kundër kastave kriminale, që vazhdojnë ta sundojnë këtë popull të mjeruar. Qoftë, viti në vijim, fundi i këtij brezi të urryer dhe fillimi i një ndryshimi të madh!

 

(Kosova Sot)