Korrupsion, papunësi, varfëri…, kjo është Kosova në 20-vjetorin e çlirimit

  • 22 February 2019 - 16:47
Korrupsion, papunësi, varfëri…, kjo është Kosova në 20-vjetorin e çlirimit

Hulumtimi i UNDP-së ka konfirmuar edhe një herë problemet kryesore, sipas qytetarëve të Kosovës. Edhe pse po bëhen dy dekada nga çlirimi i vendit, gjendja mbetet alarmante. Vendi ynë renditet në mesin e më të korruptuarve, sipas rangimit vjetor, që e bën organizata 'Transparency International'. Me një politikë të inkriminuar dhe një drejtësi të kapur, luftimi i korrupsionit mbetet një sfidë gati e patejkalueshme.

Të paktën jo me këtë brez pushtetarësh, që riciklohen e nuk përballen kurrë me drejtësinë, edhe pse janë të zhytur në afera korruptive. Korrupsioni kosovar është sistemik, i përhapur në secilin nivel të pushtetit, ndërsa partitë e kanë lajtmotiv të tyre të qenit të korruptuar. Ku ka korrupsion galopant, ka mjerim të thellë. Natyrshëm qytetarët i rendisin në mesin e problemeve kryesore papunësinë dhe varfërinë.

Sot punë gjen nëse ke një lidhje politike, një të afërm në pushtet, ose nëse jep ryshfet në këmbim të një vendi pune në administratën publike. Shteti e ka ngulfatur sektorin privat, që gjeneron pjesën dërrmuese të buxhetit, ndërsa me fondet publike abuzojnë rregullisht dhe shijojnë luksin mbi kurrizin e taksapaguesve.

Papunësia është rreth 40 për qind, edhe pse shifrat zyrtare janë më të ulëta. Mijëra të rinj enden rrugëve me diploma në xhep. Edhe pse partitë kanë premtuar qindra-mijëra vende të reja pune, asgjë nuk ka ndodhur as me qeverinë në pushtet. Shpresa e vetme për punësim mbetet emigrimi. Ndërkohë, mijëra familje mezi mbijetojnë me 1 euro në ditë. Për to ka vetëm lëmoshë qeveritare, por asgjë më shumë.

Propaganda e shtetit për gjoja rritjen më të lartë ekonomike në Evropë është qesharake dhe e ulët. Kosova përballet me një krizë të rëndë socio-ekonomike, e shkaktuar nga politika e korruptuar, që në vend se të punojë për ngritjen e mirëqenies, po angazhohet vetëm për trashjen e xhepave të inkriminuar.

(Kosova Sot)