Çka duhet të bëjë SHBA-ja, që Kosova ta dëgjojë për taksën ndaj Serbisë…

  • 23 February 2019 - 15:53
Çka duhet të bëjë SHBA-ja, që Kosova ta dëgjojë për taksën ndaj Serbisë…

Cenimi i interesave amerikane nga autoritetet shtetërore kosovare po pasohet nga masa të buta, por domethënëse për javët e muajt e ardhshëm. Refuzimi i vizës amerikane për kryeministrin ishte vetëm paralajmërimi fillestar nga Uashingtoni. Brenda një periudhe të shkurtër, dy herë të tjera SHBA-ja ka ndërmarrë restrikcione ndaj Kosovës. Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka konfirmuar se janë anuluar ftesat për 14 pjesëmarrës nga Kosova në tetë programe të Qendrës Evropiane për Studime të Sigurisë "George C. Marshall". Këto programe fillojnë në mars dhe zgjasin deri në shtator, por të përzgjedhurit e shtetit tonë nuk do të jenë pjesë e tyre për shkak të kryeneçësisë së kryeministrit dhe paaftësisë së partnerëve të koalicionit për ta zhbllokuar situatën. Institucioni organizator, Qendra Evropiane për Studime të Sigurisë "George C. Marshall" është i rëndësishëm dhe adreson sfidat e sigurisë ndërkombëtare dhe rajonale. Kjo ishte masa më e re, por një tjetër ishte para saj. Kjo masë pason anulimin e vizitës së gjeneralit amerikan të Gardës Nacionale të Iowas, Timothy Orr në Kosovë, gjithashtu në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës, për vendosje të taksës në produktet e Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.

Shtetet e Bashkuara po kërkojnë nga Qeveria e Kosovës të pezullojë taksën ndaj mallrave serbe dhe të Bosnjës, por kryeministri Ramush Haradinaj po e kundërshton aleatin strategjik dhe mbështetësin kryesor të pavarësisë. Taksa ka pasur një efekt të konsiderueshëm ekonomik, duke ua humbur tregun kompanive të Serbisë, ndërsa në rrafshin politik e ka bllokuar dialogun në Bruksel dhe e ka thelluar izolimin e shtetit tonë. Një gjë e tillë u vërejt edhe në 11- vjetorin e pavarësisë, ku personaliteti më i lartë ishte Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, që gjithë kohën fliste në telefon i shkujdesur, duke injoruar ceremonitë zyrtare. Ftohja me SHBA-në dhe BE-në, duket si një marrëzi e radhës e pushtetit tonë, me pasoja të paparashikueshme. Vendi do të vuajë si rrjedhojë, nga papërgjegjësia e koalicionit qeverisës, por edhe nga përgjumja e opozitës anemike.

 

(Kosova Sot)