Editoriali: Pasanikët e korrupsionit

  • 25 February 2019 - 16:41
Editoriali: Pasanikët e korrupsionit

Autoritetet kosovare kanë paralajmëruar zgjerimin e listës së punonjësve publikë që janë të detyruar me ligj të deklarojnë pasuritë e tyre, por një gjë e tillë nuk shoqërohet me asnjë garanci që pasurimi i dyfishtë do të hetohet në mënyrë serioze. Janë mijëra zyrtarë që mbushin formularët e Agjencisë Antikorrupsion çdo vit, shpesh duke spekuluar me vlerat e pronave të tyre. Një short formal hidhet nga Agjencia, megjithatë asgjë më shumë. Sa për ligjet, për prokurorët e gjykatësit kosovarë, këtu e mbush një banesë me para, e kush nuk të heton! Pasurimi i paligjshëm është fryti i korrupsionit dhe krimit të organizuar. Si i tillë, pa bërë kurrfarë fushate e propaganda qeveritare, drejtësia është dashur të vihej në lëvizje në secilin rast ku ka tregues të një pasurimi të dyshimtë. Kosova është vend i vogël, ku të gjithë njihen me njëri-tjetrin. Nuk duhet të jesh hetues, për të kuptuar se si fqinji që deri dje kërkonte borxh, befasisht, një ditë të bukur e ka parkuar një veturë luksoze para oborrit tënd. Nuk duhet të kesh ndonjë aftësi speciale, për ta marrë vesh se si ajo vajza që shoqërohet me ata, të fortët e pushtetit, mban një çantë "firmato", që kushton pesëmijë euro.

Kaq vështirë qenka për organet e ligjit, që t'i shkojnë pas një zyrtari publik, i cili me rrogën e tij mund të paguajë një pushim mesatar, por jo në superhotele, ku nata kushton mijëra euro. Jeta e politikanëve, zyrtarëve të lartë shtetërorë dhe njerëzve që kanë ndikim në administratën publike, në kompani, në borde, në agjenci, në ambasada, në universitete etj., viteve të fundit është dukshëm luksoze. Asnjëri prej tyre nuk mund ta justifikojë kurrë atë pasuri dhe shpenzimet enorme që bëjnë. Një drejtësi e vërtetë do t'i nxirrte qindra pushtetarë në bankën e të akuzuarve, por nuk e bën këtë për një arsye të thjeshtë. Edhe vetë ata, prokurorët e gjyqtarët, janë pjesë e këtij zinxhiri klientelist, korruptiv, zhvatës e plaçkitës të këtij populli. Pa ua bërë VETTING-un, atyre së pari, nuk verifikohet pasurimi i paligjshëm. Deri atëherë, të korruptuarit do të hanë në kurrizin e taksapaguesve kosovarë.

 

(Kosova Sot)