Të humbur në dialog, liderët të ulen e të arrijnë unitet

  • 26 shkurt 2019 - 16:56
Të humbur në dialog, liderët të ulen e të arrijnë unitet

Kosova po humb kohë të çmuar, duke mos arritur të ketë unitet të brendshëm as për temën kryesore-dialogun me Serbinë. Mungesa e unitetit e bën shtetin tonë më të dobët dhe njëkohësisht të ekspozuar ndaj zgjidhjeve të pafavorshme. Edhe në rastin e taksës, politika është ndarë në dy kampe që luftojnë politikisht, ndërsa duart i fërkon pala serbe. Unifikimi i faktorit politik kosovar do të ishte një garanci për arritjen e një marrëveshjeje të paqes, ku Kosova ruan tërësinë e saj territoriale, integritetin dhe sovranitetin e Republikës. Por, ajo që po shohim edhe në fillim të kësaj jave, është e kundërta e unitetit. Duke nisur që nga Ekipi i dialogut, ku opozita e vërtetë nuk përfaqësohet e deri te përplasjet e krerëve të shtetit që janë tërësisht të çakorduar e nuk flasin asnjëherë me të njëjtin zë. Edhe debati i kësaj të hënë në Komisionin për Politikë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës tregoi se pozita dhe opozita janë shumë larg një bashkërendimi të veprimeve. Kjo e bën të pamundur jetësimin e çfarëdo marrëveshjeje që mund të arrihet në dialogun me Serbinë. Ndërsa presidenti Vuçiq ka paralajmëruar një diskutim të brendshëm në raport me çështjen e Kosovës, te ne partitë janë larg një tryeze të përbashkët ku mund të synohej së paku një unitet i munguar prej kohësh. Veprimet improvizuese të pushtetarëve tanë janë duke e thelluar krizën në vend dhe duke acaruar edhe më tej raportet me bashkësinë ndërkombëtare, sidomos me SHBA-në. Kosova duhet të sillet si shtet, duke mos cenuar marrëdhëniet vendimtare me partnerët perëndimorë, duke i bindur ata se reciprociteti me Serbinë është rruga drejt marrëveshjes. 

 

 

(Kosova Sot)