Personalizimi i taksës

  • 01 March 2019 - 17:31
Personalizimi i taksës

 Marrëdhëniet SHBA-Kosovë janë në pikën më të ulët në prag të 20-vjetorit të çlirimit të vendit. E ky çlirim nuk do të vinte po të mos ishte në mbështetje të popullit të Kosovës administrata amerikane, që urdhëroi bombardimin e Serbisë para dy dekadash.

Çuditërisht, protagonisti i përkeqësimit të raporteve me aleatin kryesor është një nga figurat kryesore të luftës çlirimtare, sot në cilësinë e kryeministrit. Ramush Haradinaj vazhdon të bëjë rezistencë, duke refuzuar të dëgjojë sugjerimet e Uashingtonit, çka mund të sjellë pasoja të pariparueshme për vendin tonë. Kryeneçësia qeveritare është e pajustifikueshme, sepse taksa e ka dhënë efektin e vet, por personalizimi i saj, keqpërdorimi për interesa të ngushta politike, e kanë futur Kosovën në një rrugë të pakrye. Bllokimi i një procesi vetëm e zvarrit zgjidhjen dhe nuk prodhon kurrfarë dobie.

Një kryeministër inteligjent do ta pezullonte menjëherë tarifën ndaj Serbisë, përkohësisht për ta marrë timonin e dialogut vetë. Që të ndodhë kjo, duhen rishikuar edhe ligji, edhe platforma për dialogun me Serbinë. Kësisoj, duke ia marrë presidentit nga duart udhëheqjen e bisedimeve, shmanget rreziku që i kanoset territorit. Kështu, nga njëra anë përmirësohen raportet me amerikanët e nga ana tjetër i pamundësohet Hashim Thaçit loja me kufijtë. Nëse kryeministri aktual nuk vepron kështu, me siguri, vendi do të ketë së shpejti një kryeministër tjetër. Askush nuk e detyron një lider të mbështesë një marrëveshje të dëmshme për Kosovën. Të thirresh në mbajtjen e taksës që ka goditur miqësinë Kosovë-SHBA si arsyetim për pamundësimin e një marrëveshjeje të dëmshme, është qesharake.

Përgjegjësive kushtetuese e ligjore nuk mund t'u shmanget asnjëri. Taksa është vetëm një element në raport me Serbinë. Me këtë shtet armiqësor duhet të vendoset reciprocitet i plotë. Këtë duhet ta paralajmërojë shteti ynë, ndërsa e pezullon përkohësisht taksën për ta zhbllokuar dialogun. Të bisedosh nuk do të thotë të pranosh gjithçka që të ofrohet në tavolinë, prandaj ky është momenti i fundit për të vepruar. Me këtë ose kryeministrin e ardhshëm

(Kosova Sot)