Po veriun, ku e keni lënë?

  • 04 March 2019 - 16:36
Po veriun, ku e keni lënë?

Krerët e shtetit vazhdojnë të polemizojnë me njëri- tjetrin, se kush është patrioti e cili tradhtari, e në anën tjetër, shteti nuk është duke ushtruar autoritetin në pjesën veriore. Katër komunat e veriut prej disa kohësh janë pa kryetarë, pas dorëheqjeve të të zgjedhurve të Listës Serbe. Bojkoti i saj mund të zgjerohet brenda pak ditësh edhe në komunat e tjera, duke e thelluar kështu krizën në enklava. Qeveria në Prishtinë e ka zakon të mburret se është duke vepruar në tërë territorin, por e vërteta qëndron pak më ndryshe. Sa kalon urën e Mitrovicës, asgjë nuk frymon në shtetësinë e Kosovës. Veriu është edhe më tutje në anarki. Dy dekada në liri nuk u kanë mjaftuar politikanëve kosovarë që të shtrijnë sundimin e rendit dhe të ligjit edhe në këtë pjesë të vendit. Përpjekja e fundit, me gjasë vetëm spektakolare, e asgjë më shumë, u bë nga presidenti aktual, kur ky ishte kryeministër. Dy pikat kufitare u morën nën kontroll, por një polic e humbi jetën. Sot, urdhërdhënësi i aksionit të forcave speciale është edhe mbështetësi kryesor i planit për ndarjen e Kosovës. Edhe pse e quan korrigjim kufijsh, njerëzit e kanë të qartë se synimi i tij është ta lërë veriun edhe de jure nën Serbi. Por, ç'po bën Qeveria aktuale, për të dëshmuar përkushtim edhe ndaj kësaj pjese të Kosovës, të neglizhuar, qëllimshëm për vite të tëra? As zgjedhjet nuk janë shpallur ende në komunat që kanë mbetur pa kryetarë legjitimë, edhe pse ligji e parasheh një gjë të tillë. Asnjë veprim konkret serioz nuk po ndërmerret nga pushteti, për ta integruar veriun në jetën institucionale e shtetërore të Kosovës. Kjo indiferencë qeveritare çon ujë në mullirin e presidentit, që arsyetohet në planin e tij ndarës, me pafuqinë për t'i futur nën kontroll shtetëror serbët e veriut. Kryeministri shprehet fuqishëm kundër ndarjes, por praktikisht pasiviteti i tij ndaj veriut ka efekte shumë negative, prandaj nëse vërtet është kundër ndarjes, le të bëjë diçka për shtrirjen e ligjshmërisë edhe atje.

 

 

(Kosova Sot)