Punësimi mbi baza familjare, partiake, klienteliste

  • 05 March 2019 - 16:54
Punësimi mbi baza familjare, partiake, klienteliste

Në vlugun e lajmeve për kufijtë, veriun, kryeministrin e presidentin, zuri vend këto ditë edhe një rast i veçantë nepotizmi. Punësimi i katër fëmijëve nga anëtari i Bordit të PTK-së, Osman Ejupi, që dje dha dorëheqje, riktheu vëmendjen te familjarizmi dhe shkeljet që bëhen nga secila garniturë qeverisëse apo menaxhment ndërmarrjeje. Nepotizmi nuk është thjesht një problem i një partie të caktuar, edhe pse duhet theksuar se PDK-ja e ka rrënjosur këtë mentalitet punësimi mbi baza familjare, partiake, klienteliste. Mjafton të kujtojmë përgjimet e aferës "Pronto", për ta freskuar memorien. Janë të gjitha partitë, pa asnjë përjashtim, që punësimin në institucionet shtetërore, në kompanitë publike, në agjenci të pavarura, në misione diplomatike, në universitete, në çdo zyrë shtetërore, e kanë bazuar mbi kriterin themelor -familjarizmin dhe njohshmërinë. Në raste të ndryshme vlen edhe ryshfeti kundrejt një pozite të caktuar, por zakonisht këto nuk zbulohen, sepse askujt nuk i intereson të humbasë vendin e punës të fituar me "shumë mund". Gjithsesi, nepotizmi mbetet një plagë e shoqërisë sonë. Shumica e njerëzve, po të kenë mundësi, nuk do të hezitonin të punësonin të gjithë familjen në një kompani me rroga të mira. Në pamundësi të zhvillimit të hovshëm ekonomik, punësimi në shtet është alternativa kryesore. Deri edhe në zyrën më modeste të Republikës, mund të hasësh në punësime nepotike. Në kompani të mëdha mund të gjesh të afërmit e politikanëve kryesorë, pozitë e opozitë. Edhe këta që e ngrenë zërin për rastin eklatant në Telekom kanë ndërhyrë për të punësuar familjarë të tyre, pa përfillur kriteret e konkursit. Sa e sa familjari është rehatuar në ambasadat e Kosovës…Kjo dukuri është e pandalshme dhe derisa nuk ka një politikë serioze për ta stopuar, do të dëgjojmë raste e raste. Nga ana tjetër, shoqëria jonë duhet të vetëdijësohet, që të mos heshtë, por ta ngrejë zërin kur abuzohet me punësimin. 

 

(Kosova Sot)