Epopeja e lavdishme dhe pushtetarët e palavdishëm

  • 06 mars 2019 - 16:23
Epopeja e lavdishme dhe pushtetarët e palavdishëm

Sa herë vjen Epopeja e UÇK-së, politikanët shtyhen se kush do të shkojë i pari në Prekaz, për të nderuar të rënët. Historia ndryshoi atje, ku familja e Adem e Hamëz Jasharit bënë sakrificën sublime, duke rezistuar deri në frymën e fundit përballë falangave serbe. Edhe pse një përballje e pabarabartë, shpirti luftarak dhe vetëmohimi për lirinë e vendit i dhanë fuqi të jashtëzakonshme heronjve të kombit. Para 21 vjetësh, shumëçka ndryshoi me rënien e familjes Jashari. Më nuk mund të kishte hezitim për t'iu kundërvënë një regjimi gjenocidal, siç ishte regjimi i Milosheviqit. Beogradi mendoi se me këtë masakër ndaj një familjeje emblematike shqiptare do ta godiste edhe rezistencën e armatosur, por në fakt kishte shkaktuar pikërisht të kundërtën. Me shpejtësi, radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po mbusheshin, ndërsa lufta bëhej gjithnjë e më e ashpër. Adem e Hamëz Jashari u bënë burim frymëzimi për breza të tërë. Tjetër rrjedhë mund të kishte historia nëse nuk do të shkruhej Epopeja e UÇK-së në Prekazin e lavdishëm. Sot, ky është vendi më i vizituar nga shqiptarët dhe jo vetëm. Aty shkojnë i madh e i vogël, gra e fëmijë, të rinj e të reja. Vizita bëjnë edhe politikanët, që paturpësisht kanë shkelur mbi idealet e Jasharëve. Ata përkulen para varrezave të dëshmorëve, duke harruar se i kanë injoruar qëllimet e luftës për liri, pavarësi e demokraci. Dy dekada pas çlirimit, shumëçka nuk është në rregull në këtë vend. Të korruptuarit dhe hajdutët e kanë parë shtetin në dorë. Aq e rëndë është situata sa ish-bashkëluftëtarët kanë arritur ta vënë në pikëpyetje edhe integritetin territorial të Republikës. Para 21 vjetësh, Jasharët mbrojtën pragun e shtëpisë e sot presidenti ka vënë në pikëpyetje kufijtë e Kosovës. Epopeja e UÇK-së do të mbetet përjetë e lavdishme, por jo edhe ky pushtet që na sundon, duke u thirrur më kot në emrat e heronjve. Lavdia është e Jasharëve, turpi i sundimtarëve.

 

(Kosova Sot)