Vdekja e meritokracisë

  • 07 mars 2019 - 17:05
Vdekja e meritokracisë

Reagimi i Ambasadës amerikane dhe britanike drejtuar Kuvendit, ndaj emërimit jomeritor në krye të Agjencisë Kosovare të Krahasimit dhe Verifikimit të Pronës mund të ketë kaluar pa ndonjë shqetësim nga deputetët kosovarë dhe Qeveria, por ky është një sinjal alarmuese, se në ç'gjendje kritike është administrimi i shtetit. Pushteti i inkriminuar është i gatshëm të bëjë çdo shkelje, vetëm që të përmbushë orekset partiake, biznesore, nepotike, korruptive, kur bën emërime, zgjedh borde, drejtorë, kryeshefa, sekretarë etj. Dorëheqja e ambasadorit të Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O'Connell nga pozita e kryetarit të Bordit të kësaj agjencie, në shenjë pakënaqësie për emërimin e Naser Shalës, duke e konsideruar se ai nuk i ka përmbushur kriteret, është dëshpëruese se deri ku ka mbërritur papërgjegjësia e politikës sonë. Kuvendi dështoi të zgjedhë të vetmin kandidat, i cili kishte përmbushur kriteret për këtë pozitë dhe në vend të kësaj emëroi kandidatin që nuk konsiderohet se plotëson kriteret profesionale, sipas vlerësimit të bërë nga Ambasada britanike, e cila kishte nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi me Kuvendin e Kosovës për monitorimin e emërimeve në institucionet e shtetit.

Por, tashmë shihet qartë se partive nuk u intereson përzgjedhja e njerëzve kompetentë. Ato synojnë ta thellojnë kapjen e institucioneve shtetërore, të kompanive publike, për t'i përdorur sipas nevojave klienteliste, biznesore, klanore. Meritokracia është një fjalë e huaj për pushtetarët kosovarë. Nuk ka pikë rëndësie nëse je profesionist i shkëlqyer në një fushë të caktuar. Ata që vendosin se kush zgjidhet në secilin konkurs, kriterin kryesor e kanë lidhjen me partinë, pavarësisht a kërkohet person apolitik apo jo. Demotivimi i njerëzve të zotë do ta zbehë gjithnjë e më shumë sferën publike, duke e shndërruar kështu shtetin në një shkretëtirë intelektuale dhe duke e zhytur në analfabetizëm funksional. Për fat të keq, secila parti, që vjen në pushtet, e përkeqëson gjendjen dhe kjo po shihet edhe me Qeverinë aktuale. Liderët u kanë premtuar njerëzve punë, drejtësi dhe barazi, por këto vlejnë për ata që janë rreth tyre, e jo për shumicën e popullatës.

 

(Kosova Sot)