Tash, flini të qetë!

  • 08 mars 2019 - 16:58
Tash, flini të qetë!

Pushteti nxitoi t'i brohorasë miratimit të një ligji dhe platforme për dialogun me Serbinë, që u miratuan në seancën e djeshme, gati një dekadë pasi bisedimet nisën në nivelin e ashtuquajtur teknik. Pa pajtim me opozitën, deputetët e koalicionit të mbështetur edhe nga socialdemokratët e Shpend Ahmetit, që bënë gjoja si opozitë konstruktive, e votuan me shpejtësi një dokument, që me siguri shumica e tyre as që e kanë lexuar.

Edhe nëse i kanë hedhur një shikim rastësor, nuk kanë kuptuar gjë prej gjëje. Për ta bërë më qesharak këtë episod rreth dialogut, ishin deklaratat e kryeministrit dhe kryeparlamentarit. Ia pari u shfaq i qetësuar, sepse, sipas tij, me Ligjin dhe platformën për dialogun ruhet Kosova e 17 shkurtit e kufijtë nuk preken. I dyti u tregua edhe më entuziast, duke paralajmëruar anëtarësimin e sigurt në OKB! Në fakt, as njëra, e as tjetra, nuk qëndrojnë si deklarata, sepse janë joserioze.

Asnjë dokument nuk mund të ketë kurrfarë vlere, përderisa në krye të procesit është presidenti, që e mbështet hapur ndarjen e Kosovës dhe ndryshimin e kufijve. E ka thënë vetë dhe nuk është tërhequr për asnjë moment. As ligji dhe as platforma nuk e parandalojnë veprimin e presidentit. Përkundrazi, me formimin e ekipit negociator, jo përfaqësues, lehtësohen negociatat e kreut të shtetit me homologun e tij serb.

Nga ana tjetër, as ligji, as platforma, as që e përmendin detyrimin ligjor e kushtetues të kryeministrit, për të qenë në ballë të procesit. Ky hijezim i njeriut më të fuqishëm ekzekutiv në hierarkinë e Republikës të lë të kuptosh se qëllimisht Qeveria ia ka zyrtarizuar presidentit procedimin e idesë së tij.

Kundërshtimet për kufijtë mes krerëve të lartë duken më shumë si një lojë për të tërhequr vëmendjen, ndërsa në prapaskena gatuhet ndarja. Për fund, çfarë kuptimi kanë ligji dhe platforma bashkë me ekipin kur është në fuqi taksa?! Ndoshta javën tjetër vetë kryeministri do të na japë ndonjë shpjegim bindës.

(Kosova Sot)