Republika e Burrave feston 8 Marsin

  • 09 March 2019 - 17:46
Republika e Burrave feston 8 Marsin

Si çdo 8 Mars tjetër, edhe këtë herë kishte një garë të fortë politike, se kush po uron më shpejt e po tregohet më feminist. Liderët kosovarë u munduan që për një ditë ta bëjnë atë që as e kanë nisur në këto vite të karrierës së tyre në institucione. Mjafton ta rishohim tablonë shtetërore edhe në rrafshin gjinor, për t'u bindur sërish se retorika për të drejtat e grave është një tallje e ulët. Tri pozitat kryesore të shtetit janë në duart e burrave. Qeveria dominohet nga meshkujt, ndërsa femrave hapësira u dedikohet kryesisht për pozicione të ulëta. Edhe Ekipi negociator i dialogut është tërësisht mashkullor, a thua nuk ka pasur qoftë edhe një grua të zonjën për të qenë pjesë e tij?! Politika gruan e sheh si dekor, e jo si përmbajtje. Refrenet e djeshme janë thjesht një hipokrizi e radhës. Pushteti aktual është arrogant dhe i korruptuar, ndërsa barazinë gjinore e trajton me indiferencë. Ligji që garanton përfaqësim të barabartë në të gjitha nivelet e shtetit, për gratë e burrat, mbetet i pazbatueshëm. Fatmirësisht, Kosova ka gra të zonja, profesionalisht të dëshmuara shumë më tepër se burrat, me integritet të lartë, të guximshme dhe kreative, por kjo kategori mbetet e padëshiruar nga politika. Shembulli më i freskët ishte emërimi nga Kuvendi i drejtorit të Agjencisë Kosovare për Verifikimin e Pronave, ku një zonjë rezultoi kandidatja që plotësonte kushtet, por pozitën në fund e mori një "komandant", i afërt me pushtetin. Shumëçka do të ishte më mirë po t'u jepej hapësira e munguar grave të afta në secilin sektor. Ky mentalitet antifeminist rrjedh së pari nga tradita negative partiake. Subjektet kosovare zakonisht nuk i durojnë femrat e zonja e si rrjedhojë, edhe kur marrin pushtetin, nuk u japin kompetenca vendimmarrëse. Pika më e errët e këtij diskriminimi gjinor është abuzimi seksual. Skandali i Drenasit është ilustrimi më i freskët, por të tilla raste mund të ketë ngado në zyrat shtetërore, që nuk raportohen. Pa emancipimin e politikës, diskriminimi do të vazhdojë.

 

(Kosova Sot)