Ku janë heronjtë e drejtësisë…

  • 13 mars 2019 - 16:56
Ku janë heronjtë e drejtësisë…

Mungesa e rezultateve në zbatimin e ligjit dhe pandëshkueshmëria mbeten problemet kyçe në luftimin e korrupsionit në Kosovë. Sipas ambasadorit të Britanisë së Madhe, Ruairi O'Connell, këto janë pasojat e përfshirjes së politikës në sistemin e drejtësisë. Politikanët e korruptuar ushtrojnë ndikim të fortë në procesin e emërimeve në gjykata dhe prokurori, duke i futur nën kontroll krerët e sistemit gjyqësor e prokurorial. Dështimi në luftën antikorrupsion nuk është i befasishëm, duke e pasur parasysh se sa thellë është kapur drejtësia në Kosovë. Për sa kohë dirigjuese e vendimmarrjes në sistemin ligjor është politika e inkriminuar, nuk mund të shpresojmë për rezultatet serioze. Duke ndikuar në proceset gjyqësore, është rrënuar njëri nga parimet kryesore të Republikës - pavarësia e pushteteve.

Pa një gjyqësor të pavarur, nuk ka as vendime të pavarura. Edhe pse vazhdimisht ndërkombëtarët në Prishtinë e potencojnë se Kosova nuk mund të jetë strehimore e korrupsionit dhe krimit të organizuar, në realitet po vazhdohet të dëshmohet e kundërta. Ambasadori britanik ka shkuar edhe më tej në porosinë e tij duke vënë në pikëpyetje përkrahjen e mëtejmë të bashkësisë ndërkombëtare, kur autoritetet kosovare dëshmojnë mungesën e luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Mbajtja në pozita e zyrtarëve të lartë me integritet të kontestuar, është dëshmi e mungesës së vullnetit politik për t'u distancuar nga të inkriminuarit. Zbatimi i ligjit në këto rrethana është vështirësuar. Ndëshkimet në rastet e profileve të larta janë gjithnjë të pamundshme me këtë strukturë gjykatësish. Por, a mund të ketë Kosova heronjtë e rinj, siç i quan ambasadori britanik, në radhët e prokurorëve dhe gjyqtarëve aktualë? Pa u depolitizuar sistemi i drejtësisë, zor se mund të ndodhë një gjë e tillë, sepse edhe nëse lind ndonjë hero, konjuktura që drejton gjykatat dhe prokuroritë, do ta luftojë pamëshirshëm secilin që guxon të prekë aty ku cenohen interesat e oligarkisë politike. Si rrjedhojë, pa ndryshuar regjimi politik, nuk ndryshon as ai juridik. Heronjtë aty janë , por duhet t'u jepet hapësira dhe të zbatohet meritokracia. 

 

(Kosova Sot)