Arroganca e pushtetit

  • 14 mars 2019 - 16:53
Arroganca e pushtetit

Kosova vazhdon të përballet me korrupsion masiv dhe shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, ndërsa sistemi i drejtësisë mbetet pika më e dobët e shtetit. Raporti i Departamentit amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut në botë në vitin 2018 ka fshikulluar autoritetet kosovare, duke nxjerrë si problem kthimin e detyrueshëm të refugjatëve ose azilkërkuesve, korrupsionin endemik në Qeveri, dhunën dhe kërcënimet e dhunshme kundër gazetarëve dhe sulmet kundër anëtarëve të pakicave etnike ose komuniteteve të tjera të margjinalizuara. Skandali me dëbimin e shtetasve turq, sërish është riaktualizuar nga ky raport, pak pas reagimit të ashpër të Ambasadës amerikane, për 31 shkeljet flagrante të bëra nga shteti ynë, nën dirigjimin e oligarkëve politikë. Qeveria kosovare ua ka mohuar të drejtën të të ndaluarve për të kërkuar azil ose për të apeluar vendimin për dëbim para gjykatës dhe dëbimi ka qenë i motivuar politikisht. Ky është ndër skandalet më të rënda të shkeljes së të drejtave të njeriut dhe të konventave ndërkombëtare. Sfidë e patejkaluar është edhe më tutje korrupsioni në institucione. Departamenti amerikan i Shtetit thekson se ligji në Kosovë parashikon dënime penale për zyrtarët që kryejnë vepra korruptive, porse Qeveria nuk e ka zbatuar ligjin në mënyrë efektive. Sipas raportit, zyrtarët, nganjëherë janë angazhuar në praktika korruptive pa u ndëshkuar. Mungesa e mbikëqyrjes efektive gjyqësore dhe dobësia e përgjithshme në sundimin e ligjit kanë kontribuar në këtë problem. Pushteti i inkriminuar është bërë i zakonshëm në Kosovë dhe drejtësia e kapur nga politika është "garanci" për jetëgjatësinë e korrupsionit. Inkriminimi i Qeverisë e ka thelluar jotransparencën, ndërsa mediet po hasin në vështirësi për të pasur qasje në informacion. Nga ana tjetër, disa zyrtarë publikë, politikanë, biznesmenë dhe grupe radikale fetare kanë bërë përpjekje t'i frikësojnë përfaqësuesit e medieve. Sa më arrogante dhe kriminale bëhet qeverisja, aq më e errët është situata e të drejtave të njeriut. Trendi është shqetësues dhe kësisoj raporti i ardhshëm mund të jetë edhe më kritik. 

 

(Kosova Sot)