A ke të njohshëm…

  • 20 mars 2019 - 16:47
A ke të njohshëm…

Raporti më i ri i Bankës Botërore rikonfirmoi papunësinë rekorde në Kosovë. Një e treta janë pa punë. Këtu nuk bëjnë pjesë kushërinjtë e politikanëve, miqtë dhe klientelat e tyre. Në këtë mandat, me gjasë asnjë nga farefisi i madh i pushtetarëve nuk do të mbesë pa një kontratë shteti.

Pak rëndësi ka se ku, në komunë, në ministri, në ambasada, në kompani publike. Ajo që vlen është punësimi dhe mbi të gjitha nuk kanë për të bërë asgjë. Nepotizmi e ka degraduar rëndë Kosovën dhe këtë nuk e mohojnë as vetë krerët e qeverisë aktuale. Papërgjegjësia e tyre është e pafund. Çka mund të presësh kur kryeministri ankohet se partia e tij nuk ka arritur të punësojë sa subjektet e tjera?!

Pra, këta hallin e kanë se kush po punëson më shumë akraballëk, teze e dajë, nipa, bij e bija, sesa zgjidhjen e papunësisë së thellë. Kur ishin zgjedhjet, të gjithë këta që na qeverisin bashkërisht sot u zotuan se do të hapin qindra-mijëra vende të reja pune, por ja ku jemi sot, më të papunësuar e më të varfëruar. Votat që i morën, i grabitën dhe tash i nënçmojnë njerëzit që më kot presin punësim. Nuk ka punë as për ata që janë me dy-tri diploma dhe të shkolluar jashtë vendit.

"Pa të njohshëm" nuk e hedh dot asnjë hap në këtë shoqëri të degraduar tashmë. Instalimi i nepotizmit dhe militantizmit do të lërë pasoja të jashtëzakonshme në stabilitetin institucional. Problemi është se këta që punësohen "me të njohshëm" nuk mjaftohen me një vend pune.

Ata janë shndërruar në liderët e agjencive qeveritare, kompanive publike, ambasadave…Shumica e tyre janë zakonisht të paaftë për punën që e bëjnë dhe nuk kanë kurrfarë meritash, por gjithnjë avancohen e shpërblehen, duke shkelur mbi mundin e atyre të tjerëve, që vërtet meritojnë më shumë. Kjo kastë pushtetarësh vetëm sa do ta rëndojë situatën, se për të ndalur as që bëhet fjalë.

(Kosova Sot)