Demarkacioni, turpi i politikës kosovare

  • 22 March 2019 - 17:09
Demarkacioni, turpi i politikës kosovare

Një vit pas ratifikimit, Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi është rikthyer në qendër të polemikave në Kosovën e izoluar. Gati tre vjet i humbi vendi ynë, me protesta e séanca të gazit lotsjellës, ndërsa në fund, marrëveshja e njëjtë u votua nga deputetët. Edhe nga ata që e kundërshtonin ashpër. Por, askush nuk mbajti përgjegjësi për dëmin e jashtëzakonshëm që iu shkaktua Republikës. Imazhi i shtetit u përkeqësua, Parlamenti u bllokua dhe si rrjedhojë erdhën zgjedhjet e parakohshme që prodhuan Qeverinë më të dobët që ka pasur ndonjëherë Kosova.

Një vit më parë, kur votohej marrëveshja, zyrtarët e BE-së dhe këta tanët përbetoheshin se do të ndodhte liberalizimi i vizave menjëherë pas ratifikimit. Rezultoi të ishte një mashtrim i madh. Katër vjet i humbëm duke luftuar me njëri-tjetrin e lëvizja e lirë nuk ndodhi. Gjasat janë minimale që të ndodhë diçka e mirë sivjet. Izolimi e ka lodhur popullin, që po e humb durimin, i zhgënjyer me këtë klasë të urryer politike.

Është hipokrizi e madhe t'i shohësh në pushtet sot ata që dje çirreshin se do ta mbrojnë territorin e kur u bënë sundimtarë, i hëngrën fjalët. Ministri i Jashtëm malazez, që dje vizitoi Kosovën, tha se Demarkacioni është punë e kryer dhe ka mbetur vetëm delimitimi i kufirit, që nënkupton qartësime për dhjetëra metra këndej apo andej e asgjë më shumë. Nuk bëhet fjalë për rikthimin e mbi 8 mijë hektarëve që kanë mbetur në territorin e Malit të Zi, as për Çakorrin e as për Zhlepin.

Asnjë zyrtar kosovar nuk doli që ta përgënjeshtrojë kryediplomatin malazez, sepse e dinë fare mirë, se nuk kanë fytyrë që të dalin e të flasin kundër asaj që e kanë nënshkruar e miratuar me dorën e tyre. Mund ta imagjinojmë se çka na prêt në raport me Serbinë me këtë garniturë qeveritare, që bëjnë gjithfarë pazaresh, vetëm e vetëm që në fund të ruajnë kolltukun e korrupsionit. Pushteti kosovar nënkupton zhvatje dhe pasurim të paligjshëm, por assesi përgjegjësi dhe llogaridhënie. 

(Kosova Sot)