PTK (Partia e Telekomit të Kosovës)

  • 26 mars 2019 - 15:43
PTK (Partia e Telekomit të Kosovës)

Pasi e kanë shtrirë përtokë, po bëjnë gjoja se do ta rimëkëmbin. Vendimi i menaxhmentit të PTK-së për të ndalur punësimet në këtë kompani publike, pas alarmit në media që raportuan për një nepotizëm skandaloz, sidomos muajve të fundit nga Qeveria në pushtet, është tallja e radhës. Menaxhmenti i emëruar nga politika, as mund të ndalë, as mund të ndikojë në fatin e ndërmarrjes, që prej kohësh ka marrë tatëpjetën. Nepotizmi është prej kreut të kësaj kompanie dhe e ka rrënuar krejtësisht tashmë. Secila Qeveri që ka qenë në pushtet është "përkujdesur" të punësojë militantë e kushërinj në kompaninë që paguan rrogat më të mira në Kosovë dhe në shumicën e rasteve për pozita që nuk bëjnë kurrfarë pune.

Ndryshe nuk shpjegohet se kompania publike me tërë këtë numër të punësuarish, disa herë më shumë se operatori konkurrent, humb 14 milionë euro në vit. Ndalim të punësimeve ka pasur edhe më herët nga aksionari, Qeveria, por askush nuk e ka përfillur një ndalesë të tillë. Gjitha këto parti, që janë pjesë e një koalicioni me shumë interesa, duan secila, kontingjentin e tyre në Telekom. Ky është pazar, pazar për të rrënuar çdo gjë publike në këtë vend.

Kuvendi ndërkohë e ka formuar një komision hetimor, i cili mund të hedhë dritë mbi punësimet nepotike e korruptive, por përveç hedhjes dritë në këtë aspekt, asgjë tjetër nuk mund të bëjë ky komision. Është drejtësia, që duhet të veprojë ndaj abuzimeve me PTK-në, që dikur vlente një miliard euro, e sot nuk arrin as të bëjë pagat e punëtorëve. Punësimet nepotike janë vetëm njëra shkelje, sepse po të hyjë drejtësia te kontratat e dëmshme, aty ka punë me vite. Mjafton të zbardhë rastin e "Z-Mobile" dhe zhvatjen që i bën Devolli Telekomit të Kosovës. Pa ndëshkuar zyrtarët, që abuzuan dhe urdhërdhënësit e tyre, nuk ka drejtësi dhe stabilitet për PTK-në.

(Kosova Sot)