Pse po ikin kosovarët?!

  • 02 April 2019 - 15:31
Pse po ikin kosovarët?!

Askush nuk do të donte t'i rriste fëmijët në një ambient, ku asgjë nuk është e sigurt. Sot, pikërisht kjo është gjendja. Kjo klasë politike e ka bërë Kosovën të pajetueshme. Sipas konceptit qeverisës të këtyre politikanëve, shteti duhet t'i mbajë në pëllëmbë të dorës pushtetarët, familjarët e miqtë e tyre. Kushdo që nuk hyn në këtë rreth, nuk ka shpresë për asgjë. E, i bie që kjo është shumica e popullsisë. Këta që janë sot në pushtet edhe nuk e fshehin. E thonë hapur nëpër studio televizive. Po t'u jepet rasti, do t'i punësonin në vendet më të mira krejt farefisin, shoqërinë e tyre, klientelën. Ka një problem të madhe me politikanët që na qeverisin. Ata ende mendojnë se pasi vijnë në pushtet janë në shërbim të partisë, degës, konjukturës që e ka sjellë në një pozitë të caktuar. Përgjegjësia ligjore dhe politike është tjetër. Një ministër mund të jetë i asaj apo kësaj partie, por ai duhet t'u shërbejë të gjithëve pa dallim dhe nuk mund të bëjë dallime e diskriminime, bazuar në bindet e dikujt, që plotëson kriteret për një garë, tender, projekt, vend pune etj.

Jo rastësisht Republika është bërë kaq e pabanueshme. Është e tmerrshme se në çfarë derexheje na kanë sjellë ky soj i lig politikanësh, që nuk shohin asgjë, përveç lekut dhe pushtetit kriminal. Përderisa secili që shpreson të ecë përpara në jetë, në karrierë, duhet t'i mbajë sytë nga partia, është e kotë të flasim për një perspektivë të mirë. Prandaj, jo 170 mijë, por edhe shumë herë më tepër, njerëzit do të largohen, sepse jetesa do të vështirësohet, ndërsa shoqëria do ta ndiejë sundimin edhe më rëndë viteve të ardhshme. Një vend që nuk ka demokraci, barazi dhe sundim ligji, është i pashpresë. Politikanët e korruptuar na e kanë rrënuar shpresën, prandaj së paku t'i shporrim nga kolltuku, sepse ky është vendi ynë, nuk është prona e tyre. 

(Kosova Sot)