Këta jo vetëm që nuk punësojnë, por po çpunësojnë!

  • 03 April 2019 - 15:44
Këta jo vetëm që nuk punësojnë, por po çpunësojnë!

Nëse dikush ka shpresuar se me këtë qeveri do të ketë punësime të reja, jo vetëm që duhet të heqë dorë nga pritje të tilla, por duhet të shpresojmë që së paku nuk do të pakësohen më tej vendet e punës që janë aktualisht në Kosovë. Vetëm gjatë vitit të kaluar, sipas vlerësimeve në raportin e Bankës Botërore, janë humbur 17 mijë vende pune! Kjo është një shifër alarmante. Nëse vazhdon ky trend negativ, atëherë po të mbetet ky koalicion në pushtet, me në krye PDK-në, deri në fund të mandatit, mund të humben rreth 70 mijë vende pune. Pra, ato zotimet e fushatës të pushtetarëve aktualë lirisht mund t'i kthejmë si premtime për shuarjen e vendeve të punës. Më skandaloze nuk mund të jetë një qeverisje si kjo e tashmja. Këta mendojnë se duke rritur në mënyrë artificiale rrogat e sektorit publik, e duke e goditur rëndë sektorin privat, mund të rimëkëmbet biznesi kosovar. Këta vlerësojnë se duke ndërtuar autostrada nëpër të gjitha fshatrat, prej nga vijnë liderët, Kosova do të shënojë një bum ekonomik.

Qeveria mund të mburret duke thënë se jemi vendi me rritjen më të lartë në rajon, por e vërteta është se kjo lloj rritjeje është më tepër mbushje e xhepave të politikanëve të korruptuar, përmes tenderëve të fryrë të asfaltit, që në periudhë afatgjatë nuk sjell punësime të reja dhe as rritje të prodhimit vendor. Paralajmërimet e Bankës Botërore një qeveri normale do t'i merrte seriozisht, por duhet ta kuptojmë se në Kosovë nuk bëhet fjalë për qeverisje normale. Gjithçka këtu është anormale, ndërsa qytetarët ende po heshtin ose në rastin më të keq po e braktisin vendin, të lodhur e të pashpresë, të izoluar e të papunë. Sa më parë që qeveria bie, aq më mirë do të jetë për të shpresuar në një alternativë tjetër qeverisëse, që mund të nxjerrë mësimet e duhura nga performanca skandaloze dhe me pasoja të rënda e ekzekutivit aktual. 

(Kosova Sot)