Një Qeveri e tillë do të na mbajë në izolim përjetë

  • 04 April 2019 - 15:57
Një Qeveri e tillë do të na mbajë në izolim përjetë

Një ditë pasi doli raporti i Bankës Botërore për Kosovën, ku raportohet se si vendi ynë gjatë një viti ka humbur së paku 17 mijë vende pune, ka nxituar Qeveria, pa kurrfarë analize apo argumentimi të bazuar, që ta konsiderojë si gënjeshtër raportimin e BB-së, një institucion tepër serioz. Zemërimi qeveritar është i madh, sepse populli po e sheh se dështimi i pushtetit është kaq i madh, saqë nuk mund ta mbulojë më askush. As Banka Botërore. Prandaj, edhe raportet janë gjithnjë e më kritike dhe alarmante. Në vend që ekzekutivi ta shqyrtojë me kujdes dhe të nxjerrë mësime nga të dhënat e besueshme të raportit të BB-së, e bën krejtësisht të kundërtën. Faktet janë kundër mënyrës se si po udhëhiqet vendi nga ky koalicion dhe është e qartë edhe për vetë partitë në pushtet, se kjo Qeveri ka kapitulluar.

Të vetmen gjë që po e bëjnë qeveritarët është mbushja e vazhdueshme e xhepave privatë, me fondet publike përmes tenderomanisë që nuk ka të ndalur. Rreziku që i kanoset Republikës nga një qeverisje e tillë është tepër i madh, prandaj nevojitet një ndryshim i shpejtë dhe i thellë. Kjo Qeveri jo vetëm që po pakëson vendet e punës dhe po e ngulfat tërësisht sipërmarrjen e lirë private, por po na armiqëson me partnerët kryesorë, duke injoruar SHBA-në, BE-në, BB-në, FMN-në e plot të tjerë. Duke qenë të izoluar e të pazhvilluar, nuk është kurrfarë befasie që mijëra e mijëra kosovarë po emigrojnë. Më kot përpiqet kryeministri t'ua mbushë mendjen ambasadorëve të vendeve perëndimore, se nuk ka rrezik nga largimi i qytetarëve të Kosovës drejt shteteve të BE-së. Sapo të liberalizohen vizat, i madh e i vogël do t'ia mësyjnë. Fakti që këta as nuk e kuptojnë, as nuk e pranojnë të vërtetën, është edhe më i frikshëm se të gjitha skandalet e tjera që i kanë bërë. Prandaj, sa më parë bie kjo Qeveri, aq më mirë për Republikën e bllokuar.

(Kosova Sot)