Specialja dhe pazaret me shkëmbim territoresh

  • 06 April 2019 - 15:50
Specialja dhe pazaret me shkëmbim territoresh

Presidenti ynë nuk e fsheh më varshmërinë e tij ndaj homologut serb. Edhe gjatë një prezantimi në Londër, që kushedi sa i kushton buxhetit të taksapaguesve kosovarë, Hashim Thaçi ka ripotencuar se nuk ka nevojë që të kushtëzohet dialogu me Serbinë, përmes të cilit, siç e di opinion prej kohësh, synohet ndarja e Kosovës. Nga njëra anë, kreu i Republikës shtyn përpara në prapaskenë planin për copëtimin territorial e në anën tjetër përkujdeset që të mos ketë kushte për Serbinë, që gjithçka të shkojë sipas skenarit Vuçiq-Rama-Thaçi. Pasojat janë të dyfishta dhe tepër të rënda për Kosovën. Procesi negociator ishte parë gjithnjë si një shans i mirë për të kërkuar zbardhjen e fatit të të pagjeturve, adresimin e krimeve të forcave serbe ndaj popullatës shqiptare, kompensimin e dëmeve të luftës, reparacionet, kthimin e fondit pensional e plot të tjera, por asgjë nuk ndodhi. Deklarimet e presidentit e bëjnë më të pashpresë hapjen e këtyre temave të ndjeshme, për të cilat presin përgjigje dhe zbatim të ligjit, qytetarët e Kosovës.

368767

Sikur të mos mjaftonte injorimi i viktimave dhe i gjitha këtyre temave të pazgjidhura, kreu i shtetit ka shkuar edhe më tej, me personalizimin e dialogut dhe marrjen e flamurit të zgjidhjes së vetme sipas tij. Hapja e çështjes së kufijve është goditja më e rëndë që ia ka bërë procesit Hashim Thaçi, por qartë kuptohet se cili është qëllimi. Duke e ditur se edhe në rastin e Gjykatës Speciale, dirigjimi politik mund të ndikojë në ngritjen ose pushimin e një aktakuze, kreu i Kosovës e ka investuar tërë kapitalin, formal e joformal, tërë klanin e tij, përfshirë spiunë të Serbisë që njihen botërisht, që të parandalojë një akuzë të pritshme. Pazari me Serbinë, sigurisht është joshës edhe për faktorin ndërkombëtar, që do t'ia mundësonin Thaçit shfajësimin nga ndjekja e Speciales, në këmbim të një marrëveshjeje finale Kosovë-Serbi. Gjithsesi, tani që po kuptohet edhe nga ndërkombëtarët se më mirë është të digjet Thaçi sesa të digjet Kosova, Specialja, së paku në këtë rast, do t'i ketë duart e lira.

(Kosova Sot)