11 vjet Kushtetutë, 11 vjet abuzim

  • 10 April 2019 - 15:33
11 vjet Kushtetutë, 11 vjet abuzim

Ne nuk mund të ankohemi se kemi Kushtetutë të dobët. As të themi se duhet ndryshuar Kushtetuta. Ajo nuk është një rregullore që sa herë t'i bjerë ndërmend dikujt mund të përshtatet sipas interesave të caktuara. Problemi është te respektimi i normave kushtetuese dhe ligjeve që rrjedhin prej saj. Politikanët e shohin Kushtetutën si alibi për shumë dështime, prapaskena, skandale,që i bëjnë në veprimtarinë e tyre për hesapin e ngushtë, jo rrallë kriminal. Rasti tipik është me presidentin. Atij tash Kushtetuta nuk i duket as Bibël as Kuran, sepse ia prish një plan të dekonspiruar - ndarjen e Kosovës. Marrëveshja që ai me gjasë edhe e ka arritur me Vuçiqin parasheh cenimin territorial të Kosovës, një gjë që bie në kundërshtim flagrant jo vetëm me Kushtetutën, por paraqet një shkelje të rëndë të Kodit Penal. Për një vepër kësisoj, autori mund të përfundojë në burg për tradhti kombëtare.

Por, me këtë drejtësi natyrisht nuk është ky rasti që ndodh në vendin tonë. Kushtetuta garanton barazi para ligjit dhe sundim të së drejtës. Politikanët e kanë interpretuar sipas inteligjencës dhe djallëzisë së tyre. Ata e kanë shtrirë sundimin e vet, e kanë eliminuar demokracinë dhe e kanë skllavëruar qytetarin kosovar, që sot po ia mësyn botës për të shpëtuar nga despotizmi shtetëror. Në Kosovë veç barazi nuk ka, ndërsa gjyqësori është shkelësi kryesor i të drejtave të njeriut. Kushtetuta garanton shumëçka. Garanton edhe tregun e lirë dhe sipërmarrjen private, që është burimi kryesor i zhvillimit. Qeveritë tona, përfshirë edhe këtë në pushtet, e shkelin tregun e lirë me të dyja këmbët. Lejimi monopolist të Devollëve dhe shumë abuzime të tjera janë ilustrim bindës për rrënimin e konkurrencës së ndershme në treg. Kushtetuta është një dokument tepër i rëndësishëm, por i nëpërkëmbur nga pushteti. Ata i referohen asaj vetëm kur nuk arrijnë të merren vesh se si ta ndajnë tortën e qeverisjes, sepse për të tjerat as që mërziten ndonjëherë.

(Kosova Sot)