Ndryshimet nuk mund të vijnë me pushtetarët e njëjtë

  • Kosova Sot /
  • 12 April 2019 - 15:53
Ndryshimet nuk mund të vijnë me pushtetarët e njëjtë

Ka zgjidhje për ta ndalur popullin që të mos e braktisë Kosovën. Ata nuk po shkojnë nga qejfi, por nga halli. Po ikin nga pabarazia frikësuese, nga padrejtësitë e pafund të pushtetit korruptiv.

Shkaku kryesor është qeverisja e keqe, prandaj dorëheqja e saj, meqë për ta shkarkuar nuk ka kush e shkarkon, është emergjente. Kështu, së paku, pas gjithë këtyre bëmave e skandaleve, një mesazh pozitiv do ta përcillte te njerëzit.

Kur vdes shpresa, asnjë qeveri nuk mund të vazhdojë më tutje. Shpresa e kosovarëve u shua që në ditën kur kryeministri aktual pranoi të zhytej nën sqetullën e pistë të PDK-së, duke e ngrënë karremin që plot të tjerë e kafshuan para tij. Tash ja ku jemi, duke vjel frytet e asaj që i kanë mbjellë politikanët e mbrapshtë të Kosovës. Për pushtet e para, këta të fshijnë.

Kaq poshtë kanë rënë, saqë edhe tallen me njerëzit e varfër e të lodhur nga ky sundim i egër. A nuk ishte ofenduese seanca e djeshme e Kuvendit?

Të gjithë ata deputetë që mbanin fjalime i kanë punësuar familjarët e tyre në pozitat më të mira, kanë privilegje të jashtëzakonshme e na tregojnë se pse nuk duhet të largohemi! Në këto rrethana alarmante, kur edhe ata që janë në punë po e lënë, për të shkuar drejt një jete më të mirë, Qeveria duhet të shkarkohet, Kuvendi të shpërndahet dhe vendi të shkojë në zgjedhje të reja, me shpresën se partitë do të mbushen mend dhe mund të dalin alternativa të reja, me njerëz të ndershëm e të aftë. Ky pushtet i ka rrënuar të tashmen e të ardhmen, ndërsa për më keq akoma po luan edhe me territorin.

Regjimi duhet përmbysur, sepse këta nuk kanë asnjë ndjeshmëri për krimin që po ia bëjnë Republikës. Ndryshimet nuk mund të vijnë me pushtetarët e njëjtë, që qarkullojnë në pozitat kryesore prej dy dekadash.

(Kosova Sot)