Shakaja me gjenocidin

  • 16 April 2019 - 15:35
Shakaja me gjenocidin

Kur nuk kanë ide se çfarë të bëjnë, deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës bëjnë sikur janë duke ndërmarrë diçka serioze. Në fakt, asgjë të hairit nuk arrijnë të bëjnë. Sidomos kur është fjala te gjenocidi serb. U deshën dy dekada të kalojnë që partive tona t'u bjerë ndërmend që të iniciojnë një rezolutë që e dënon gjenocidin e një ligj që penalizon këdo që mohon krimet e Serbisë në Kosovë. Kjo është bash kurrgjë! Nuk është problem te rezoluta, sepse të tilla Kuvendi po nxjerr çdo javë e askush nuk i përfill. A po harrojnë deputetët se asnjë padi për krime lufte nuk është proceduar në gjykatat e Kosovës? Asnjë shqiptar i Kosovës apo biznes u dëmtuar nuk është përfillur nga sistemi ynë i drejtësisë, edhe pse ka kallëzime penale e fakte sa të duash për ta proceduar secilën aktakuzë të mundshme.

Politikanët tanë asnjëherë nuk e kanë adresuar këtë dështim të shtetit në raport me qytetarët dhe kompanitë e prekura. Miliarda dollarë dëme u janë shkaktuar atyre, por askush nuk u mor me këtë temë. Kjo është e turpshme! Të tentosh ta mbulosh këtë njëzetvjeçar të dështuar me kamuflime ligjore e rezoluta, është edhe një tallje tjetër e këtij pushteti të papërgjegjshëm. Për vite të tëra nën, udhëheqjen e presidentit aktual, është negociuar se si të ndahet Kosova, por jo edhe se qysh do të paditet Serbia për krimet e luftës dhe dëmet e jashtëzakonshme. Është e kotë të presim se me këtë garniturë qeveritare, Kosova mund të arrijë ndonjë rezultat mbresëlënës në këtë aspekt. Ç'të mbjellësh do të korrësh. Qytetarët tanë po vjelin frytet e dështimit të pushtetit korruptiv dhe të papërgjegjshëm. Në një vend normal nuk do të mund të kalonin as dy-tre vjet për të kërkuar drejtësi në secilën instancë të mundshme, për ta kërkuar shpagimin ligjor. Sunduesit e Kosovës ishin aq miopë e të paaftë, saqë, në vend se të bëhej një gjykatë për krimet e luftës nga regjimi i Milosheviqit, ia bënë vetes një Tribunal Special! E çka të presësh prej tyre?!

(Kosova Sot)