Shkatërrimtarët bëjnë thirrje "ruajeni tokën"

  • 23 April 2019 - 15:41
Shkatërrimtarët bëjnë thirrje

Nuk ka hipokrizi më të madhe se kur i dëgjon disa liderë kosovarë të apelojnë për mbrojtjen e mjedisit. Këta që dje adresuan thirrje për qytetarët, që ta ruajnë tokën, janë pushtetarët që më së shumti e dëmtuan atë. Shihni çka ndodh në Prishtinë dhe qytetet e tjera, shihni si është katandisur ambienti në tërë Kosovën. Ambientalizmi, që në botë është me ndikim të fortë, në vendin tonë konsiderohet si lëvizje e parëndësishme. Asnjë parti, as këto në pushtet e as të tjerat në opozitë, nuk i kanë dhënë kurrë rëndësi çështjeve ambientaliste, që prekin direkt jetën e secilit dhe të ardhmen e vendit. Këta që shprehen gjoja me shqetësim për mjedisin kosovar janë të shqetësuar vetëm për një aspektpër biznesin kriminal që bëjnë. Pushtetarëve u interesojnë gurëthyesit, termocentralet që ndotin në mënyrën më të rrezikshme, ku kanë përfitime milionëshe. Ata brengosen për lejet e ndërtimit që jepen në mënyrë korruptive, për ta betonizuar secilin cep të qytetit. Nën sundimin e këtyre politikanëve, është shkatërruar edhe toka bujqësore.

Çdo vit kanë humbur mijëra hektarë tokë pjellore, për shkak të ndërtimeve pa kriter. Pushteti në Kosovë ka bërë një krim të jashtëzakonshëm kundër ambientit dhe qytetarëve. Të kota janë fushatat, si "Pastroje Kosovën", kur në krye të shtetit janë ndotësit më të mëdhenj. Mjafton të shikosh Prishtinën e udhëhequr nga oligarku Shpend Ahmeti. Mbeturina gjithandej, ndërtime pa kriter, mungesë e theksuar e hapësirave të gjelbëruara. Komunarët mendojnë vetëm se si të vjedhin e të shpërdorojnë, por jo edhe se si ta ruajnë e ta shtojnë gjelbërimin. Asnjë qytet në Kosovë nuk është i jetueshëm në aspektin e ambientit. Ka një anarki urbanistike dhe një trend betonizimi të frikshëm. As në nivel nacional, as në atë lokal nuk ka qoftë edhe një model të vetëm pozitiv të rregullit dhe pastërtisë, të planifikimit hapësinor e urbanistik. Ky është dështimi i atyre që sot na përcjellin mesazhe për Ditën e Tokës. Së paku, mbylleni gojën!

(Kosova Sot)