Një farsë e turpshme në Komisionin hetimor

  • 27 April 2019 - 16:00
Një farsë e turpshme në Komisionin hetimor

Skandali i gylenistëve ia ka lënë tash radhën skandaleve të politikës kosovare. I tillë ishte ai i djeshmi, kur presidenti iu përgjigj ftesës së Komisionit hetimor për rastin e dëbimit të qytetarëve turq, të kërkuar nga Turqia. Më mirë do të ishte që të mos transmetohej fare ky ballafaqim banal dhe pa kurrfarë etike. Presidenti, me stilin e vet autoritar, harroi që ishte aty për t'iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve e jo për t'i marrë këta në pyetje. I mësuar që ta bëjë lëmsh secilën situatë të mundshme, ai ia doli, në bashkëpunim me servilët e tij në Komision, partiakë të dikurshëm dhe partnerë të tyre. Në përfundim të mbledhjes së dështuar, kreu i Republikës nuk iu përgjigj pyetjet kryesore: A e ka thirrur Erdogani atë për rastin e turqve?

Shumëkush e ka të qartë përgjigjen, por presidenti iu shmang qëllimshëm, pasi ndezi sherrin në Komision dhe e shmangu vëmendjen nga tema qendrore. Skandali i gylenistëve është një njollë e zezë në historinë politike dhe demokracinë e Kosovës. Kjo ngjarje ka dëshmuar se sa poshtë ka rënë Republika jonë, për shkak të një lidershipi që është në gjendje të bëjë gjithfarë pazaresh në kurriz të të drejtave universal të njerëzimit. Komisioni hetimor ka arritur ta adresojë çështjen, por më tepër se kaq nuk mund të bëjë. Problemi është te mosfunksionimi i drejtësisë, që në rrethana normale do të duhej ta hetonte edhe presidentin, për të provuar ndërhyrjen e tij të kuptueshme në këtë rast. Ky skandal ka marrë ndonjë viktimë politike, por jo edhe autorin e tij. Ballafaqimi i djeshëm në Komisionin hetimor shfaqi edhe një herë arrogancën e njeriut që drejton sot Kosovën, drejt një pazari të ri, atë për ndarjen e territorit me Serbinë. Është e turpshme ta shohësh se kush po e përfaqëson këtë shtet, këtë Parlament, Qeveri dhe Presidencë!

(Kosova Sot)