Ali Baba me dyzet hajdut

  • 30 April 2019 - 15:23
Ali Baba me dyzet hajdut

Si çdo ngjarje tjetër që ngjall interes, edhe kjo e Berlinit ishte një rast që nuk mund të humbej. Jo për të përfaqësuar denjësisht Kosovën, por për të mbushur aeroplanin e për të marrë ca mëditje të mira. Ky vërshim tipik kosovar është ilustrimi më konkret i një pushteti që moton e vet e ka-ZHVATJEN. Kabinetet respektive, Presidenca, Kryeministria, ministri i Jashtëm etj., pa kurrfarë nevoje kanë dërguar një batalion zyrtarësh, që bëjnë shpenzime të kota në kurriz të taksapaguesve të vendit. Kjo nuk është hera e parë e as e fundit, që abuzime të tilla ndodhin në shtetin tonë të varfër. Ky delegacion masiv e ka një simbolikë për vitet e humbura në dialogun me Serbinë. Ky proces ka qenë gjithnjë i improvizuar ku liderët tanë me ekipet respektive kanë shkuar me duar në xhepa. Me rëndësi për ta ka qenë akomodimi në hotele të shtrenjta, drekat e darkat pa fund, shëtitjet me biznes klasë. Më vonë, gjërat u përkeqësuan, sepse tashmë nuk diskutohej më për luksin e negociatorëve tanë, por për fatin e kryenegociatorit.

I shqetësuar për të ardhmen e pasigurt të tij, që prej themelimit të Gjykatës Speciale, presidenti nuk ka lënë gur pa lëvizur, që të kurorëzojë një Pazar të rrezikshëm me Serbinë, duke prekur territorin e Republikës. Samiti i Berlinit është parë si një bllokadë e këtij plani, prandaj kreu i shtetit u mobilizua me vasalët medialë e politikë, që ta bombardojë Gjermaninë në çdo aspekt. Duke zbehur raportet me BE-në, krerët e Kosovës e kanë betonuar izolimin e vendit edhe për një kohë të papërcaktuar dhe ky është një dëm i jashtëzakonshëm që po ia shkaktojnë qytetarëve kosovarë. Fatkeqësisht, me Ali Babën në krye e dyzet hajdutët nga pas, Kosova vështirë se do të shohë ndonjëherë ditë të bardhë. Prandaj, sa më tepër njerëzit heshtin dhe e ulin kokën, aq më i egër do të bëhet regjimi i despotëve.

(Kosova Sot)