Këshilla për reduktim të ënjtjes gjatë shtatzënisë

  • 15 January 2019 - 08:39
Këshilla për reduktim të ënjtjes gjatë shtatzënisë

Ënjtja gjatë shtatzënisë është një gjë e zakonshme, që ndodh sidomos në tre muajt e fundit. Ndonëse ju nuk mund ta parandaloni në tërësi ënjtjen, ne kemi disa këshilla për ju, për t'ju ndihmuar në reduktimin e saj në maksimum, transmeton gazeta Kosova Sot.

1. Reduktoni konsumimin e kripës!

Kripa ndikon në akumulimin e ujit në trup, gjë që edhe shkakton ënjtjen, kështu që gjëja e parë, që duhet të bëni për të reduktuar ënjtjen gjatë shtatzënisë, është të konsumoni sa më pak kripë.

2. Pini më shumë ujë!

Konsumimi i ujit është ilaç për pothuajse gjithçka, në këtë mënyrë është shumë i rëndësishëm edhe për reduktimin e ënjtjes. Është shumë e rëndësishme që të konsumoni të paktën 2.5 litra ujë në ditë. Uji gjithashtu ju ndihmon edhe në parandalimin e infektimit të kanaleve të urinës, e që shtatzënat janë shumë të rrezikuara.

3. Mos mbathni këpucë të ngushta!

Ndonëse shumë shpesh është e vështirë t'u rezistohet takave të larta e të bukura, është shumë e rëndë- sishme që gjatë shtatzënisë t'i hiqni qafe këpucët e parehatshme. Mundohuni që gjatë kësaj periudhe, sidomos në tre muajt e fundit, të mbathni vetëm këpucë të rrafshëta e të rehatshme.

4. Mbani këmbët përpjetë!

Ngritja e këmbëve mund t'ju ndihmojë, duke bërë që ënjtja të kalojë nga nyjat e këmbeve në drejtim të pjesës së poshtme. Vendosja e këmbëve në këtë pozicion ju ndihmon në shpërndarjen e lëngjeve të akumuluara në të gjitha pjesët e trupit, duke bërë që të ndiheni më rehat, ndonëse për periudhë jo shumë të gjatë.

5.Masazh

Masazhi është dëshmuar të jetë shumë i rëndësishëm për parandalimin dhe reduktimin e ënjtjes gjatë shtatzënisë. Nëse nuk keni dikë që ju rri pranë, mund t'i bëni masazh vetës, mirëpo më mirë është që dikush t'ju bëjë masazh gjatë kësaj periudhe. 

(Kosova Sot)