'Tharësja e flokëve' ju tregon rreth sëmundjeve të zemrës

  • 03 prill 2019 - 16:16
'Tharësja e flokëve' ju tregon rreth sëmundjeve të zemrës

Një 'tharëse flokësh' e drejtuar kah lëkura, mund të zbulojë sëmundjet e fshehta të zemrës. Kjo pajisje eksperimentale, e testuar së fundmi te 100 persona në Francë, transmeton rreze të laserit përmes lëkurës. Përbrenda, ajo është një çip kompjuteri që analizon shpejtësinë dhe drejtimin e rrezeve, derisa ato reflektohen nga enët e gjakut, gjë që konvertohet në vlerësim të ngurtësisë së tyre. Ngurtësia arteriale është një parametër i besueshëm i gjendjes së enëve të gjakut dhe mund të ofrojë një vërejtje rreth sëmundjeve të zemrës.

Matja e shpejtësisë së valës së pulsit

Enët e shëndosha të gjakut janë elastike dhe lejojnë lehtazi kalimin e gjakut përmes tyre. Ato të pashëndetshmet janë të ngurta dhe nuk zgjerohen lehtë. Kjo e rritë rrezikun që arteriet të ngushtohen, apo edhe bllokohen nga droçkat e gjakut. Mjekët rëndom vlerësojnë rrezikun nga sëmundjet e zemrës duke matur nivelin e kolesterolit, shtypjen e gjakut, faktin se a pi personi duhan, çfarë diete ka dhe çfarë është stili i tij i jetës. Por, kërkuesit shkencorë ka vite që e dinë se, matja e ngurtësisë arteriale është ndër mënyrat më të sakta për të vlerësuar gjendjen e enëve të mëdha të gjakut. Metoda aktuale e matjes së ngurtësisë arteriale, matja e shpejtësisë së valës së pulsit, kërkon kohë dhe nuk është praktike.

Përgjysmon kohën e nevojshme për matjen e ngurtësisë arteriale

Kërkon vendosjen e sensorëve në dy pjesë të trupit, për të analizuar më pas rrjedhjen e gjakut midis tyre. Nevojitet një aftësi e madhe për të interpretuar rezultatet e fituara. Pajisja e re është më praktike dhe përgjysmon kohën e nevojshme për matjen e ngurtësisë arteriale. Zakonisht matet ngurtësia e arteries karotide, e cila kalon anash nëpër qafë dhe shkon në tru. Matja e ngurtësisë së kësaj arterie, e cila është më praktike, meqë është sipërfaqësore, ofron një pasqyrë të ngurtësisë së arterieve të tjera, duke përfshirë edhe ato të zemrës.  

(Kosova Sot)