Pastrojeni trupin nga këto helme

  • 09 May 2019 - 17:29
Pastrojeni trupin nga këto helme

Ushqimi pa gluten momentalisht është njëri ndër ushqimet më të preferuara në botë. Ekzistojnë shumë raste të vërtetuara kur nuk ka ekzistuar toleranca ndaj glutenit, por personat që kanë kaluar në këtë dietë kanë ndier përmirësime të dukshme shëndetësore dhe humbje në peshë. Dieta pa gluten nuk ndalon përdorimin e misrit, elbit dhe sojës. Mirëpo, para se ta përdorni secilin prodhim, kontrolloni në etiketë nëse ka elb apo grurë. Po ashtu, kjo dietë ndalon bukën dhe makaronat me gluten dhe pothuajse të gjitha ushqimet e papërpunuara, marrë parasysh se aty gjithmonë mund të gjendet pak gluten. Pos kësaj, ata që duan ta aplikojnë këtë dietë, nga ushqimi duhet ta përjashtojnë ushqimin e konservuar, ëmbëlsirat, akulloret dhe pijet. Dieta pa gluten lejon ushqimin e përgatitur nga soja, orizi, misri dhe mielli i elbit. Mund të përdoret edhe orizi,  tharmi i bukës si dhe qumështi pluhur. Me këtë dietë mund të humbni në peshë dhe ta pastroni trupin nga helmet. Ushqimi është i llojllojshëm dhe përmban minimum kalori dhe sheqer, kështu që e keni fare të lehtë të humbni në peshë. Disa mjekë, si Dr. Alesia Fasan, pediatër dhe profesor në universitetin në Merilend, edhe më tutje janë në zhvillim të konceptit të ushqimit të ashtuquajtur ‘ushqim pa gluten për personat e shëndoshë’.

Ngadalëson plakjen. Gruri (që përmban gluten) rrit nivelin e sheqerit në gjak, sheqeri lidhet për proteina, e ky kombinim ngrit nivelin e enzimave që dëmtojnë kolagjenin në lëkurë dhe kështu përshpejtojnë plakjen.

Stabilizon nivelin e sheqerit në gjak. Dieta pa gluten përjashton edhe bukën e bardhë dhe ëmbëlsirat, me ç’rast në mënyrë të drejtpërdrejtë zvogëlohet konsumimi i karbohidrateve të këqija, që rritin nivelin e sheqerit në gjak. Konsumimi i tepërt i sheqerit sjell mbipeshën.  

Lehtëson dhimbjet në menopauzë. Ekspertët pohojnë se gluteni çrregullon simptomat e menopauzës, siç janë dhimbjet e kokës dhe temperaturë kohë pas kohe. Shmangia e tij lehtëson ose largon në përgjithësi këto dhimbje.

Menyja sipas ditëve

Për kafjall mund të zgjidhni disa prej këtyre propozimeve:

- 1 vezë të zier, 200 g djathë, 20 g bukë pa gluten, 10 g gjalpë, 200 ml kakao apo çaj me qumësht

- bukë pa gluten, gjalpë apo marmelatë

- oriz në qumësht me pemë

- omëletë me djathë dhe proshutë

E hënë

Dreka: makarona (pa gluten) me bizele (70 g), salmon në tym (120 g), sallatë me domate dhe sallatë të gjelbër (200 g), dredhëza, lëng ananasi.

Darka: perime të ziera dhe oriz (30 g), vezë të fërguara (150 g), speca të pjekur (150 g) të spërkatur me fara susami, bukë pa gluten (60 g), mollë, çaj.

E martë

Dreka: makarona (pa gluten) me mokarela (70 g), spinaq të zier për sallatë (200 g), lëngje.

Darka: perime të ziera (me 30 g makarona pa gluten dhe 100 g perime), bukë pa gluten (60 g), portokall.

E mërkurë

Dreka: makarona (pa gluten) me djathë të freskët (70 g), sallatë (200 g), një mollë.

Darka: supë me kërpudha (e përgatitur me 30 g oriz  200 g kërpudha: vezë të fërguara, bizele, fasule, sojë – sipas dëshirës), sallatë me çikore (200 g), një pjesë buke pa gluten (60 g), 2 pjesë ananas.

E enjte

Dreka: shpageta (pa gluten) me sos domatesh (70 g), artiçokë të pjekura (200 g), dardhë, jogurt.

Darka: supë me mish pule me makarona të imët (pa gluten, 30 g) dhe një pjesë të pulës së zier (70 g), sallatë me domate (200 g), bukë pa gluten (60 g), papajë.

E premte

Dreka: pilaf me lëng pule (70 g) me kungulleshka (200 g), sallatë me karota (200 g), mollë.

Darka: lëng orizi (30 g) dhe fasule (50 g), speca të mbushur me djathë të freskët (200 g), bukë pa gluten (60 g), 2 kajsia.

E shtunë

Dreka: pilaf pule me shafran (70 g), sallatë (200 g), portokall, një gotë verë të zezë.

Darka: supë pule me makarona të imët pa gluten (30 g) dhe vezë, pulë të pjekur (200 g), brokol të zier, bukë pa gluten (60 g).

(Kosova Sot Online)