Gjërat që duhet t'i keni parasysh para se të ndryshoni stilin e flokëve

  • 25 maj 2019 - 08:17
Gjërat që duhet t'i keni parasysh para se të ndryshoni stilin e flokëve

Shumica e femrave hezitojnë të ndryshojnë stilin e tyre të flokëve në mënyrë drastike, pasi frikësohen nga shumë gjëra, andaj, nëse jeni në mesin e këtyre femrave 'frikacake' dhe tash e një kohë të gjatë keni qenë duke menduar për të ndryshuar stilin tuaj të flokëve, shqyrtoni këto gjëra para se të merrni vendimin

1. Kujtojeni periudhën pas një viti!

A do të ngopeni me këtë stil të flokëve pas një viti? Varësisht se sa drastik do të jetë ndryshimi i stilit të flokëve, është e rrugës të mendohet se sa e kënaqur do të jeni me stilin tuaj të flokëve një vit më vonë. Nëse keni dyshime për një gjë të tillë, atëherë duhet t'i ofroni vetes edhe pak kohë për të menduar.

2. Trendët

Përcjellja e trendëve është një gjë shumë e rëndësishme, të cilën të gjitha femrat mundohen ta bëjnë, mirëpo, një tjetër gjë edhe më e rëndësishme është lloji i trendit. Pra, nëse duhet të bëni ndryshime drastike për të qenë në hap me modën, është e udhës të mendoni mirë nëse ia vlen apo jo, pasi që flokët kërkojnë një kohë të gjatë derisa të rriten përsëri.

3. Kohëzgjatja e stilit të ri

Një tjetër gjë e rëndësishme, që duhet ta mendoni para se të kryeni 'aktin final', është kohëzgjatja e stilit tuaj të ri. Nëse dëshironi që vetëm t'i ngjyrosni flokët tuaja, atëherë nuk keni nevojë të mendoni gjatë, pasi që ngjyrën mund ta ndërroni përsëri. Mirëpo, nëse jeni duke menduar për një prerje drastike, atëherë mos u ngutni!

4. A e keni kohën dhe durimin e mjaftueshëm për stilin e ri?

Nëse jeni mësuar me një stil flokësh që nuk kërkon shumë përkushtim dhe jeni duke menduar të krijoni një stil më të avancuar, që do t'jua ndryshonte tërësisht rutinën tuaj të mëngjesit, atëherë duhet të mendoni se a e keni kohën dhe durimin e mjaftueshëm për t'u marrë me stilin e ri të flokëve.

5. Këshillohuni me stilistin!

Nëse keni besim në stilistin tuaj, atëherë është shumë e rëndësishme të konsultoheni me të, pasi që këshillat e profesionistëve janë shumë të rëndësishme. Stilisti është personi kompetent që e di sesi do të dukeni me stilin e ri të flokëve, andaj, sipas mundësive, shqyrtoni mundësinë e këshillimit me të.

(Kosova Sot Online)