Shtatë këshilla për përdorim të grimit me ngjyrë të bardhë

  • 25 May 2019 - 18:28
Shtatë këshilla për përdorim të grimit me ngjyrë të bardhë

Ngjyrat që shkëlqejnë janë në modë, mirëpo përdorimi i grimit me ngjyrë të bardhë është një tjetër mundësi për të shkëlqyer. Nuk po flasim për t'u lyer tërësisht me ngjyrë të bardhë, mirëpo pak grim i bardhë ju ndihmon t'i theksoni sytë, buzët dhe pjesët e tjera të fytyrës. Përdorimi i grimit të bardhë është shumë i lehtë dhe ju do të habiteni se çfarë ndryshime do të përjetoni. Më poshtë kemi renditur disa këshilla, që do t'ju ndihmojnë me përdorimin e këtij lloj grimi.

1. PËRDORENI SI BAZË!

Hijezuesi i syve është një element shumë i rëndësishëm i grimit, mirëpo për të arritur efektin e plotë të nuancës tuaj të preferuar, është shumë e rëndësishme që të përdorini grim me ngjyrë të bardhë si bazë për hijezuesin e syve. Ngjyra e bardhë bën që sytë të shkëlqejnë më tepër dhe të jenë në qendër të vëmendjes. 

2. SEKRETI PËR BUZË TË TRASHA

Ju mund të përdorni grim të bardhë pa e parë askush ngjyrën e bardhë. Vendosni pak 'liner' të buzëve në qendër të buzës së epërme dhe asaj të poshtme dhe më pas shpërndani 'liner-in', mirëpo pa e humbur shtresën e duhur. Pasi të keni vendosur buzëkuqin tuaj të preferuar, buzët tuaj do të duken më të mbushura se sa që janë në të vërtetë.  

3. NDRITNI SYTË ME GRIM TË BARDHË!

'Eyeliner-i' me ngjyrë të bardhë është i përsosur për ato ditë kur nuk keni gjumë të mjaftueshëm dhe duhet të rregulloheni shpejt. Nuk mund të gjeni mënyrë më të shpejtë dhe më të lehtë për të bërë që sytë tuaj të duken më të ndritur se sa të përdorni grim të syve me ngjyrë të bardhë. Kjo ngjyrë bën që sytë të duken më të hapur, përderisa shkëlqejnë.

4. SHTONI DUKJES SUAJ PAK SHKËLQIM!

Përdorimi i grimit me ngjyrë të bardhë nuk do të thotë që është e domosdoshme të bie në sy, pra, ju mund të arrini efektin e ngjashëm të grimit të bardhë përmes shkëlqyesve, të cilët nuk kanë ngjyrë.

5. MOS E PËRDORNI SHUMË!

Shumë femra, të cilat janë adhuruese të grimit me ngjyrë të bardhë, mendojnë që duhet të përdorin këtë lloj grimi gjithandej, mirëpo, ky është një gabim i madh, pasi që grimi me ngjyrë të bardhë nuk guxon të jetë pjesa më e rëndësishme e dukjes suaj, pra, duhet të shërbejë vetëm si theksues i pjesëve të fytyrës. 

6. SHMANGNI VESHJET ME NGJYRË TË BARDHË!

Ndonëse është e rëndësishme të kombinohet ngjyra e rrobave me ngjyrën e grimit, ky kombinim nuk është i vlefshëm për grimin me ngjyrë të bardhë. Atëherë, në ditët kur vendosni të përdorni grim me ngjyrë të bardhë, mundohuni të përzgjidhni rroba të cilat kanë pak detaje të bardha, apo nuk kanë  fare ngjyrë të bardhë. 

7. KOMBINONI TË BARDHËN ME NGJYRA TË MBYLLËTA!

Grimi me ngjyrë të bardhë më së miri kombinohet me grimin me ngjyra të mbyllëta, si ngjyra e kaltër apo e gjelbër. Kombinimi i këtyre ngjyrave krijon një kontrast të mprehtë, që tërheq vëmendje për të mirë. Andaj, kombinoni hijezuesin e kaltër të syve me ngjyrë të bardhë për një dukje shumë ekstravagant.

(Kosova Sot Online)