Shenjat që tregojnë se grimi juaj është vjetruar

  • 09 June 2019 - 09:29
Shenjat që tregojnë se grimi juaj është vjetruar

Grimi është një pjesë shumë e rëndësishme e dukjes suaj, mirëpo, nëse përdorni grim të vjetruar apo që nuk është më në gjendje të rregullt, atëherë ai mund të bëhet faktor për dëmtime të rënda të lëkurës. Për të evituar një gjë të tillë, ju duhet ta ndërroni grimin para se ai të bëhet i dëmshëm për ju. Për t'ju ndihmuar që ta vëreni një gjë të tillë, më poshtë kemi renditur disa shenja që tregojnë se grimi juaj është vjetruar

KA KALUAR SHUMË KOHË QË I PËRDORNI

Disa produkte të bukurisë zgjasin deri një vit, mirëpo produktet e grimit të syve janë shumë të ndjeshme, andaj edhe nuk rekomandohet që të përdoren më gjatë sesa 2-3 muaj nga momenti i hapjes. Kështu që tregohuni të kujdesshme me datat e blerjes së produkteve të grimit për të shmangur pasojat e lëkurës apo syve.

PRODUKTET KUNDËRMOJNË

Në momentin kur e vëreni që produktet e grimit kanë filluar të kundërmojnë një aromë të çuditshme, duhet të reagoni menjëherë, duke i hequr nga përdorimi. Kjo vlen edhe për produktet e lëngëta, edhe për ato në formë pudre.

NDRYSHIMI I NGJYRËS

Ndryshimi i ngjyrës ndodh më së shpeshti me shkëlqyesit e buzëve, të cilëve u skadon afati i përdorimit. Me ndryshimin e ngjyrës së një produkti të caktuar, mblidhen shumë baktere të ndryshme, andaj është shumë e rëndësishme që në momentin kur vëreni ndonjë ndryshim në ngjyrën e produkteve të grimit, t'i ndërroni menjëherë ato produkte.

GRIMI FILLON TË SHPËRBËHET

Në momentin kur e vëreni që produktet e lëngëta të grimit fillojnë të shpërbëhen, atëherë duhet t'i hidhni menjëherë në shportë mbeturinash. Pasojat e përdorimit të grimit të tillë mund të jenë shumë të rënda, andaj kurrsesi nuk guxoni të vazhdoni me përdorimin e tij.

AFATI I PËRDORIMIT

Nëse në kutinë e grimit tuaj shkruan afati i përdorimit, atëherë ju mund të konsideroheni si fatlume. Edhe nëse grimi nuk ka ndryshuar ngjyrë, teksturë apo fare nuk kundërmon, nëse afati i përdorimit ka kaluar, duhet ta hidhni menjëherë.

(Kosova Sot Online)