Shmangia e shtimit të peshës pas moshës 30-vjeçare

  • 20 June 2019 - 08:42
Shmangia e shtimit të peshës pas moshës 30-vjeçare

Nëse jeni duke ushtruar dhe duke ngrënë njëjtë sikurse në vitet kur keni qenë më e re, mirëpo nuk jeni duke i marrë rezultatet e njëjta, atëherë me shumë gjasë trupi juaj nuk është duke i djegur kaloritë me efikasitetin e njëjtë. Kjo ndodh për arsye që numri i kalorive, që digjen brenda një dite, bie për një për qind, çdo vit pasi që t'i keni mbushur 30 vjet. Megjithatë, nutricionistja Carolyn Brown, thotë që nëse ju ndiqni këto pesë strategji, do ta fitoni përsëri trupin që keni pasur

KONSUMONI MË SHUMË PROTEINA!

Proteina është pjesa më e rëndësishme në ndërtimin e muskujve dhe pasi që masa muskulore humbet me shtimin e viteve, ju keni nevojë të shtoni sasinë e proteinave që konsumoni. "Femrat që kanë kaluar të tridhjetat duhet të konsumojnë dhjetë për qind më shumë proteina se sa që kanë konsumuar në moshën e rinisë", thotë Christine Gerbstadt. Ushqimet që përmbajnë sasi të madhe të proteinave ndikojnë në djegien e kalorive shumë më tepër se sa ushqimet që janë të pasura me karbohidrate apo yndyra.

ELIMINONI STRESIN!

Hormonet e stresit janë të lidhura ngushtë me akumulimin e yndyrës. Ndërsa, mosha e mesme zakonisht është periudha kur njerëzit ballafaqohen me shumë stres. Eliminimi i stresit gjatë ditës mund të ndihmojë në djegien më efikase të kalorive në trup. Doktoresha nga Nju Jorku, Florence Comite, preferon meditimin, pasi që sipas saj, dhjetë minuta meditim efikas mund të bëjnë një ndryshim të madh.

FLINI MJAFTUESHËM!

Zakonisht, ditët që vijnë pas një nate kur nuk keni fjetur mirë karakterizohen me oreks shumë të madh. Një studim i bërë në më shumë se 68.000 femra ka treguar që femrat të cilat flenë pesë ose më pak orë në natë, shtojnë shumë më lehtë peshë se sa ato që flenë shtatë ose më shumë orë.

MË SHUMË MASË MUSKULORE

Sa më tepër muskuj që keni, aq më shumë kalori do të digjni. Mirëpo, rreth moshës 40-vjeçare, njerëzit fillojnë ta humbin masën muskulore. Atëherë, nëse dëshironi të digjni më shumë kalori, mundohuni të fitoni apo t'i ruani muskujt e fortë. Ushtrimet e palestrës duhet të jenë pjesë e rutinës suaj, pa marrë parasysh moshën dhe vullnetin që keni.

KONSUMONI USHQIM TË SHËNDETSHËM!

Natyrisht, rëndësinë më të madhe në formën e trupit tuaj e ka mënyra se si ju ushqeheni. Andaj, nëse mëtoni të keni një trup të mirë, ashtu siç e keni pasur në moshën e rinisë, konsumoni ushqim të shëndetshëm dhe shmangni përdorimin e ushqimeve të rafinuara.

(Kosova Sot Online)