Shtatë këshillat e bukurisë që ju ndihmojnë të dukeni si yjet e Hollivudit

  • 18 July 2019 - 15:26
Shtatë këshillat e bukurisë që ju ndihmojnë të dukeni si yjet e Hollivudit

Të gjitha femrat dëshirojnë të duken bukur, madje dëshirojnë të përngjajnë me yjet e tyre të preferuara, mirëpo jo të gjitha e kanë mundësinë ekonomike të atillë. Megjithatë, këshillat e mëposhtme janë gjithëpërfshirëse dhe mund t’ju ndihmojnë që me pak mund të dukeni sikur yjet tuaja të preferuara, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

1. Sy të shndritshëm

Përkundër faktit që shpesh duhet të ngrihen herët në mëngjes për të xhiruar për filmat e tyre, pothuajse të gjitha yjet duken bukur dhe asnjëra prej tyre nuk kanë qeska nën sy. Metoda për të shmangur qeskat nën sy dhe për të fituar sy që shndrisin, është që të vendosni pak hijezues të syve në pjesën nën qerpikët e poshtëm.

2. Lëkura që shkëlqen

Si ka mundësi që të famshmet duken sikur figurat mitologjike dhe kanë lëkurë të përsosur? Me siguri ato duken kështu për shkak të faktit që shpenzojnë qindra euro në javë në trajtime të ndryshme të lëkurës. Megjithatë, lajmi i mirë është që edhe ju mund të fitoni lëkurë që shkëlqen, madje me shumë më pak mund dhe shpenzime sesa yjet. Vetëm përzieni pak hijezues të syve me ngjyrë metalike me locionin tuaj të fytyrës dhe do të fitoni dukjen e përshtatshme për qilim të kuq për një kohë të shkurtër.

3. Bronzuesi

Mollëzat e dala jashtë duken për mrekulli dhe e mira e gjithë kësaj është që një dukje të tillë ju mund ta arrini brenda një kohe shumë të shkurtër. E tëra që ju duhet të bëni është që ta përdorni bronzuesin e mençur, duke formësuar mirë mollëzat dhe duke hijezuar pjesën përreth.

4. Brushat

Nëse mëtoni të dukeni sikur yjet e Hollivudit, është shumë e rëndësishme që të shpenzoni pak në brushat për shpërndarjen e grimit dhe këtë proces të mos e bëni duke përdorur gishtat. Brushat ndihmojnë në shpërndarjen më të njëtrajtshme të produkteve të grimit, duke ju ofruar një dukje më të mirë.

5. Ngjyra bezhë  

Buzët me ngjyrë bezhë duken shumë bukur dhe më i rëndësishëm është fakti që ato ju ndihmojnë të dukeni shumë natyrale. Mirëpo, në vend se të shpenzoni shuma të mëdha parash duke blerë buzëkuq me ngjyrë bezhë, ju mund ta arrini një dukje tërheqëse duke përdorur vetëm shkëlqim për buzë.

6. Vetullat e bukura

Të gjithë e dinë sesa të rëndësishme janë vetullat dhe cili është ndikimi i tyre në formësimin e fytyrës suaj. Mirëpo, nëse ju nuk keni vetulla të trasha, ashtu siç do të dëshironit, atëherë nuk është e thënë të shpenzoni një mal me para për mbjelljen dhe rregullimin e tyre pasi që mund të arrini vetulla të përsosura thjesht duke përdorur maskarë për t’ua shtuar volumin.

 

7. Buzëkuqi

Të gjitha femrat kanë dëshirë të kenë të gjitha nuancat e buzëkuqëve, mirëpo një gjë të tillë nganjëherë llogaria bankare mund të mos jua lejojë. E mira është që mund të përzieni buzëkuqët ekzistues për të fituar nuanca të reja. Për shembull, mund ta përzieni ngjyrën kora me të kuqe për ta fituar një nuancë shumë tërheqëse.

(Kosova Sot Online)