Ushqimet më të mira për t’u konsumuar gjatë shtatzënisë në stinën e verës

  • 03 August 2019 - 16:16
Ushqimet më të mira për t’u konsumuar gjatë shtatzënisë në stinën e verës

Nëse jeni shtatzënë, ideja e një vere të mbushur me ushqime zkare me siguri që ju bën të djersiteni. Epo, ka një lajm të mirë për të gjitha nënat në pritje të ëmbël: moti i nxehtë mund të jetë i pakëndshëm dhe të shkaktojë lodhje tek ju, por vjen me një bollëk frutash dhe perimesh të freskëta që janë freskuese dhe që përmbajnë lëndë ushqyese thelbësore për shëndetin tuaj dhe të foshnjën që mbani në bark.

Për më tepër, ushqimet e stinës ju mbajnë të ngopura dhe të hidratuara gjatë muajve të ngrohtë. Pra, stina e verës është në të vërtetë koha e përsosur për t’i mbushur vaktet tuaja me ushqime më të shëndetshme dhe me më shumë vlera ushqyese. Për t’ju ndihmuar të përfitoni sa më shumë nga tryeza juaj gjatë verës, ne kemi përpiluar një listë të ushqimeve që duhet të konsumoni gjatë muajve të pritjes që përkojnë me stinën e nxehtë.

Këto janë 10 ushqimet verore që duhet të hajë çdo grua shtatzënë:

Mikrojeshillëqet janë pjesë e familjes së ushqimeve me gjethe jeshile. Ato janë të shijshme, të gjithanshme dhe ushqyese. Ky grup ushqimesh përmban Vitaminë C dhe E (antioksidantë), të cilat do t’ju ndihmojnë të përforconi imunitetin gjatë shtatëzanisë. Një nga mënyrat më të mira për të konsumuar mikrojeshillëqet është integrimi i tyre brenda ose mbi ushqimet e tjera që konsumoni gjatë ditës. Ato janë të holla dhe të lehta për tu futur në një sanduiç, një omëletë apo edhe në një pite.

Shalqiri është fruti perfekt për sezonin e verës dhe shuarjen e etjes si dhe për aftësitë e jashtëzakonshme hidratuese. Shalqiri mund të shërbejë si një vakt i shkëlqyeshëm i ndërmjetëm që do t’ju bëjë të ndjeheni freskët, kur të jetë shumë nxehtë dhe të jeni djersitur. Uji i shalqirit është gjithashtu një pije popullore për tu konsumuar pas një seance stërvitjeje ose pas një ecjeje në natyrë.

Veza e zier është një mënyrë e lehtë, më e lehta për të konsumuar proteina. Ndonjëherë një omëletë ose një vezë syze ka tendencë të ndihet më e rëndë në organizëm dhe madje mund të duket si shumë e mundimshme për tu përgatitur dhe gjëja e fundit që dëshironi të bëni është të qënroni përpara një furre të nxehtë. Vezët e ziera janë gjithashtu të gjithanshme për tu kombinuar me ushqime të tjera. Me to, ju mund të krijoni një sallatë ose të bëni një sanduiç me sallatë e vezë. Ato do t’ju ofrojnë proteina dhe mikronutrientë të tjerë që janë thelbësorë gjatë shtatzanisë.

Familja e manaferrave janë të preferuarat e këtij sezoni dhe janë të përsosura për t’u ëmbëlsuar, duke i hedhur sipër një tasi me kos, apo edhe t’i hani vetëm. Në verë, ka shumë mundësi për të zgjedhur: luleshtrydhe, mjedër, boronica dhe manaferra. Ato janë plot me antioksidantë dhe fibra, të cilat mund të ju ndihmojnë të luftoni kapsllëkun gjatë periudhës së shtatzanisë. Plus, nëse tashmë keni një fëmijë të vogël në shtëpi, mund të mblidhni luleshtrydhe, që është një veprimtari popullore në muajt e verës.

Kosi është një nga mënyrat më të mira për të filluar ditën. Është një ushqim me shumë vlera dhe siguron një sasi të mirë proteinash, sigurisht. Por është gjithashtu i shijshëm e freskues, i përkryer për muajt e nxehtë të verës. Për më tepër, është i mbushur me yndyrna të shëndetshme, që do të thotë se do të ndjeheni të ngopura për një periudhë më të gjatë kohore. Mund ta përzieni me tërshërë, ta lini gjatë natës dhe ta nisni ditën me të!

Kastraveci ka një përmbajtje shumë të lartë uji dhe siguron një efekt freskues për të gjithë trupin tuaj, përfshirë edhe sytë! Nëse jeni prekur nga alergjitë dhe pagjumësia, të cilat vazhdojnë deri në fund të shtatzënisë, konsumi i kastravecit do t’ju ndihmojë shumë. Kështu që konsumojeni vetëm, në sallatë, sanduiç, ose të ndarë në copa hidheni në shishen tuaj të ujit.

Nenexhiku është një tjetër shtesë e shkëlqyeshme për ujin, pasi siguron gjithashtu një efekt freskues duke aktivizuar receptorët në lëkurën tonë. Mund ta shtoni në ujë ose të konsumoni produkte miqësore me nenexhikun për t’ju ndihmuar të qëndroni të freskëta për periudha më të gjata kohore.

Domatet janë një nga ushqimet kryesore të verës. Ato janë të shijshëm dhe tejet të gjithanshme. Ju mund të bëni një supë të ftohtë me to, mund t’i shtoni në sallata të ndryshme, ose t’i hani dhe vetëm me kripë. Jo vetëm që mund t’ju ndihmojnë të ndiheni më të freskuara, por konsumimi i likopenit, një element i kuq i ndritshëm që mund të gjendet edhe te karota, mund të ndihmojë në parandalimin e djegies nga dielli. Megjithatë, ngrënia e domateve nuk duhet të jetë një justifikim për tu qëndruar në diell për periudha të gjata kohore.Kur jeni shtatzënë, duhet të kufizoni ekspozimin tuaj në diell dhe natyrisht të aplikoni krem mbrojtës disa herë në ditë.

Qershitë janë fruti i sezonit të verës dhe ofrojnë disa përfitime shëndetësore. Në të vërtetë, ato janë një “depo” për vitamina, minerale, proteina, hekur dhe kalcium. Ato forcojnë sistemin tuaj imunitar, përmirësojnë shëndetin e trurit të të fetusit tuaj, lehtësojnë ënjtjen dhe inflamacionin dhe madje ju ndihmojnë për një gjumë më të mirë. Prandaj, nëse disi ndjeheni sikur keni pak vend bosh në bark, rrëmbeni një grusht qershi dhe përfitoni nga vetitë e shumta që ato kanë.

Kungulli i njomë është një nga perimet më hidratuese të disponueshme për ne, dhe ata janë të lehtë për t’u përfshirë në shumë receta: nga sallatat tek makaronat. Ata janë gjithashtu një burim i shkëlqyeshëm i folateve, kaliumit, dhe vitaminave A dhe C, të gjitha këto janë thelbësore për shëndetin prenatal.

(Kosova Sot Online)