Bimët si ilaç për shëndetin e femrave

  • 14 August 2019 - 15:17
Bimët si ilaç për shëndetin e femrave

Femrat, që nga kohët antike ilaçin e kanë kërkuar në natyrë dhe janë shërbyer nga dobitë e tij.

Konopica (Vitex agnus-castus)

Kjo është bima numër një kur kemi të bëjmë me problemet e ciklit menstrual dhe problemet paramenstruale. Në të kaluarën, kokrrat e kësaj bime ishin përdorur nga priftërinjtë në mënyrë që ta ulin dëshirën seksuale. Kjo bimë ndikon duke nxitur hormone që stimulojnë prodhimin e qumështit në mënyrë që imiton dopaminën, neurotransmetues ky që ngushtë është i lidhur me disponimin dhe libidonë. Hulumtimet kanë treguar se ajo bimë kthen në gjendje të rregullt ciklin menstrual për tre muaj, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Image

Farat e lirit (Linum usitatissimum)

Farat e lirit janë të pasura me shumë substanca shëruese. Dikur liri është përdorur për shërimin e sëmundjeve të mushkërive, sistemit të frymëmarrjes dhe atij tretës, të thatin në lukth dhe të ënjturat. Tash e një kohë të gjatë dihet që farat e lirit janë të pasura me aminoacidet omega 3. Liri i bluar apo vaji i lirit është burim i mirë i fitohormoneve lignana, të cilat zbutin simptomat e menopauzës, ulin rrezikun nga lajmërimi i kancerit të gjirit dhe sëmundjeve të zemrës. Disa fakte pohojnë se farat e lirit ndikojnë pozitivisht në pjellorinë e femrave. Substancat që gjenden në farat e lirit, sipas ekspertëve, parandalojnë kancerin e gjirit, atë të vezoreve si dhe pakësojnë ndikimin e estrogjenit, faktor kyç ky që nxit shfaqjen e sëmundjeve malinje.

Sherbela (Salvia officinalis)

Edhe pse kjo bimë njihet për shërimin e pezmatimit të fytit dhe shërimin e gjakrrjedhjes te mishi i dhëmbëve, ajo njihet edhe për efektin e  saj pozitiv në zbutjen e simptomave të menopauzës.  Kjo bimë me të vërtetë është një bimë e femrave, përderisa ekziston një thënie e vjetër që thotë se: ‘ku rritet kjo bimë, aty pushtetin e kanë femrat’. Çaji nga kjo bimë ndikon shumë në mposhtjen e valëve të nxehtit dhe djersitjes, që janë të shpeshta gjatë periudhës së menopauzës. Krahas kësaj, ndihmon edhe te ndryshimet e shpejta të disponimit dhe depresionit, që janë karakteristikë te femrat gjatë kësaj periudhe kohore. Në mjekësinë popullore njihet ndryshe edhe si bima që ndihmon në parandalimin e abortit, ndërsa, po u konsumua në formë të çajit, gjatë muajit të fundit të shtatzënisë lindjen do ta keni më të lehtë.

Image

Kefiri (Actaea racemosa)

Kjo bimë ndikon si alternativë  për terapinë që zvogëlon simptomat e menopauzës. Njihet për nga fakti se nuk ka kurrfarë ndikimi të estrogjenit dhe nuk shton rrezikun që të prekeni nga kanceri i gjirit. Kjo është një bimë me prejardhje indiane, derisa substancat e saj ndikojnë në receptorët e estrogjenit në tru dhe në mitër, por, për çudi, jo në gji, atje ku edhe mund të bënte dëme.

Xhenseni Siberian (Eleutherococcus senticocus)

Kjo bimë në shumë mënyra ndikon mirë në shëndetin e femrave. Pakëson pasojat e stresit, duke rregulluar punën e gjëndrave tiroide, që janë përgjegjëse në reaksionin ndaj stresit, rregullon nivelin e sheqerit në gjak, shton mbrojtjen dhe funksionimin e trupit nga kanceri si dhe stimulon rritjen dhe zhvillimin e qelizave. Marrë parasysh se me këtë bimë shtohet vitaliteti, përderisa në anën tjetër ulet dëshira për ushqim, sidomos të karbohidrateve, atëherë ndikon edhe në uljen e mbipeshës. Shumica e tumoreve paraqiten si pasojë e ushqimit jo të shëndetshëm, prandaj, duke e parandaluar këtë dëshirë, atëherë mund të thuhet se kjo bimë parandalon dhe kancerin.

Kurkuma (Curcuma longa)

Erëza e verdhë që përdoret në shumicën e gjellëve indiane, kurkuma, njihet për rezultatet e saj në rregullimin e ekuilibrit hormonal te femrat, ul simptomat negative të ciklit paramenstrual, si dhe ndikon kundër kancerit të gjirit. Kurkuma shpeshherë krahasohet me xhenxhefilin, përderisa vlerësohet shumë shkaku i efektit antipezmatues. Parandalon artritin, sëmundjet autoimune si dhe mbron sistemin nervor, e po ashtu pastron edhe mëlçinë. Hulumtimet tregojnë se kurkuma karshi kancerit ka efektin e ilaçeve të mençura, duke shkatërruar qelizat kancerogjene derisa ato të shëndetshmet i lë të paprekura dhe të padëmtuara.

Gliciriza e shogët (Glycyrrhiza glabra)

Rrënja e ëmbël e kësaj bime pothuajse 30 herë është më e ëmbël se sheqeri, nuk ju shton në peshë dhe shpeshherë është pjesë përbërëse e ëmbëlsirave të shëndetshme. Kjo bimë mund të përdoret edhe si shurup kundër kollës. Femrat tash e një kohë të gjatë e përdorin si bimë shëruese që mund të ndihmojë te lehtësimet për vezoret policistike. Shton sekretimin e kortizolit dhe estrogjenit, e zvogëlon testosteronet. Sasia e shtuar e testosteroneve te femrat shkakton jo pjellorinë, shtimin në peshë, shton qimet dhe aknet në fytyrë.

Alkemila (Alchemilla vulgaris)

Nëse ndonjëherë jeni përballuar me cikël të dhimbshëm menstrual, e jemi të bindur se shumica prej jush po, me siguri se do të shpëtonit me përdorimin e kësaj bime. Kjo bimë bën çudinë te të gjitha sëmundjet e femrave: duke filluar te menstruacionet e parregullta dhe me dhimbje, lëshimet e mitrës dhe lëndimet e saj. Kjo bimë forcon muret e mitrës dhe me këtë rast edhe mbron nga aborti i padëshirueshëm duke lehtësuar njëkohësisht lindjen. Nënave të ardhshme ju sugjerohet që nga muaji i tretë i shtatzënisë ta përdorin çajin nga kjo bimë. Nëse keni problem me lukthin, për ta përdorur këtë bimë paraprakisht këshillohuni me mjekun.

Image

Marrubi i rëndomtë (Marrubium vulgare)

Nëse nuk mund të mbeteni shtatzënë, atëherë kjo bimë është përgjigja për ju. Kjo bimë që nga kohët e vjetra përdoret për pjellorinë e femrave. Në popull e quajnë edhe Pikëlluesja, pasi që paraqet pikëllimin e të gjitha femrave që nuk mund të kishin fëmijë. Efekti bazë i kësaj bime është normalizimi i sekretimit të hormoneve të jashtme dhe ekuilibrimi i ciklit menstrual, që sikur të gjithë e dimë, parakusht për një shtatzëni të rregullt. Ndihmon shumë te problemet menstruale dhe shumë problem të tjera me të cilat ballafaqohen femrat.

Kantarioni (Hypericum perforatum)

Kantarioni njihet si bima që lufton depresionin, ankthet dhe ndihmon në ruajtjen e sistemit nervor. Gjethet e kantarionit ndihmojnë te shërimi i plagëve, të ënjturat, te kafshimi i insekteve. Nëse vuani nga depresioni, kjo bimë do të veprojë, por efekti i kësaj bime do të vërehet në periudha të gjata kohore. Bima i ndihmon edhe shpirtit edhe trupit të shërohen. Sipas rregullave, çaji nga kjo bimë konsumohet tri here në ditë, por efektin duhet ta ndieni pas dy apo tri javësh.

(Kosova Sot Online)