Si duhet të ushqehet një femër gjatë 3 mujorit të parë të shtatzënisë?

  • 23 August 2019 - 13:17
Si duhet të ushqehet një femër gjatë 3 mujorit të parë të shtatzënisë?

Pritja e ëmbël e një foshnje për herë të parë është një përvojë e mbushur me emocione të ndryshme. Përjetohet lumturi, sepse do të vijë në jetë një engjëll, por edhe frikë, nëse do të jesh prind i mirë. Dieta ushqimore merr një tjetër rëndësi ndaj Living ju vjen në ndihmë me disa këshilla konkrete. Ja çfarë duhet të konsumoni në tremujorin e pare të shtatzënisë

Tremujori i parë
Nevojat kalorike në tremujorin e parë nuk rriten, ndaj dhe rëndësi i jepet cilësisë së ushqimeve dhe jo sasisë. Menyja ditore duhet të përmbajë:
» 1-2 racione me ushqime të pasura me acid folik, si perime me ngjyrë jeshile, agrume, bishtajore, drithëra integrale, mish shpendësh dhe fruta deti.
» Acide yndyrore Omega-3, të cilat trupi I njeriut nuk mund t’i sintetizojë vetë, ndaj dhe burimi i vetëm janë ushqimet si: vaj ulliri, fruta të thata dhe peshku.
» Për të vjellat e mëngjesit mund të konsumohet esëll bukë e thatë. 

FRUTAT Mundohuni të konsumoni 2-3 fruta në ditë.
» Një nga frutat duhet të ketë sasi të lartë me vitaminë C, si: agrumet, kivi, luleshtrydhe, fruta pylli, qershi.

» Zakonisht frutat me përqindje të lartë me vitaminë C kanë më shumë aciditet, ndaj dhe rekomandohet të konsumohen së bashku me vaktin e drekës, duke përforcuar edhe përthithjen e hekurit nga burimet e mishit dhe të bishtajoreve.
» Mundohuni të keni shumëllojshmëri frutash.
» Rekomandohet të konsumohen të shpërndara gjatë ditës dhe jo të gjitha së bashku.
» Frutat rekomandohen të konsumohen të plota, me lëkurë, pasi na ndihmon dhe për kapsllëkun. Mjafton të jenë të lara mirë.

PERIME:
» Duhet të konsumoni 2 racione në ditë me perime. Një racion mund të jetë 1 sallatë, supë me perime ose dhe gjellë me perime.
» Është e rëndësishme, kryesisht në muajt e parë të shtatzënisë, të konsumohen patjetër perime me ngjyrë jeshile, pasi janë më të pasura me acid folik, që ndihmon në formimin e embrionit tuaj.

» Perime jeshile mund të jenë: sallatë jeshile, spinaq, qepë të njoma, presh, pazi, lëpjeta, lakër kineze, brokoli, spec jeshil, bamje, barbunja, selino etj. Por kujdes, duhet të lahen shumë mirë, sidomos perimet me gjethe, ndaj mund të përdorim pak uthull ose sodë buke për dezinfektim. Gjithashtu, te perimet që konsumohen të freskëta përthithet më mirë acidi folik. Ndaj, një nga perimet e sallatës duhet të jetë me ngjyrë jeshile.

DRITHËRA-BUKË:
» Përdorni gjithmonë drithëra-bukë integrale. Janë më të pasura me fibra, por dhe me ushqyes, si: hekur, magnez, zink, kalcium, vitamina B kompleks etj.
» Ndihmojnë për kapsllëkun, pasi kanë më shumë fibra.
» Rekomandohen të konsumohen në orare të ndryshme gjatë ditës dhe të mos abuzohet me sasinë.
» Për shembull, dy feta buke në vakt, 1 filxhan oriz ose drithëra të tjera, si bollgur, trahana etj, 80 g makarona etj.

(Kosova Sot Online)