Shtatë ide për kombinimin e ngjyrave të grimit gjatë vjeshtës

  • 16 September 2019 - 16:00
Shtatë ide për kombinimin e ngjyrave të grimit gjatë vjeshtës

Vjeshta është stina më e përshtatshme për pushime, si dhe për ta ndjekur modën, pasi që është shumë e lehtë për të kombinuar ngjyrat e vjeshtës dhe për të krijuar një dukje të përshtatshme. Gjithsesi, për të qenë në hap me kohën gjatë kësaj stine ju nevojiten këshillat e mëposhtme të grimit.



1. GRIMI I THJESHTË I SYVE DHE BUZËT E KUQE

Kombinimi më i përshtatshëm për stinën e vjeshtës, e që mund të përdoret edhe përgjatë stinëve të tjera të vitit, është kombinimi i buzëve të kuqe me grim të thjeshtë të syve. Sa i përket grimit të syve, mund të përdorni fare pak maskarë, apo krem neutral, ndërsa përqendrimi duhet të vihet te ngjyra e buzëve.

2. SYTË "SMOKEY" DHE BUZËT BEZHE

Një tjetër kombinim shumë i përshtatshëm për stinën e vjeshtës është nëse fokusi vihet tek sytë. Për ta arritur këtë qëllim përdorni buzëkuq me ngjyrë bezhe, ndërsa krijoni stilin e syve "smokey". Edhe ky kombinim është i përshtatshëm për të gjitha stinët, mirëpo përdorim më të gjerë ka gjetur gjatë vjeshtës.

3. NGJYRA E KUQE E MBYLLËT

Buzët me ngjyrë të kuqe të mbyllët, që ndryshe njihet si ngjyra e verës, është një trend shumë i madh vjeshtor. Mënyra më e përshtatshme për të shkëlqyer me buzë të tilla është nëse i kombinoni me grim të thjeshtë të syve, pra sikur ngjyra e kuqe, edhe ngjyra e kuqe e mbyllët, kombinohet me sy të thjeshtë. 

4. NGJYRAT E NDEZURA

Ngjyrat e ndezura nuk janë të përshtatshme vetëm për stinën e verës, pasi kohët e fundit ka gjetur përdorim të gjerë edhe gjatë stinës së vjeshtës. Ngjyrat më të përshtatshme, për të realizuar kombinimet me ngjyrat të ndezura, janë ngjyra e portokalltë, e kaltër dhe e kuqe e ndezur. 

5. NGJYRA E KALTËR NË GRIMIN E SYVE

Një tjetër ngjyrë shumë e përshtatshme për stinën e vjeshtës, sidomos për femrat me ngjyrë të kafenjtë të syve, është ngjyra e kaltër. Aplikimi i kësaj ngjyre bëhet nëpërmjet vendosjes së ngjyrës së kaltër në vijën e syve dhe shpërndarja e kësaj ngjyre për të krijuar stilin "smokey" me ngjyrë të kaltër. 

6. NGJYRA KAFE DHE E PORTOKALLTË

Përdorimi i ngjyrës së portokalltë ose ngjyrës së kafenjtë në kapakët e syve është një tjetër trend për këtë vjeshtë. Femrat me ngjyrë të kaltër të syve duhet doemos t'i provojnë këto ngjyra në kapakët e syve të tyre.

7. NGJYRA VJOLLCË

Ngjyra vjollcë është një tjetër ngjyrë shumë e përshtatshme për vjeshtë. Krijimi i syve "smokey" nëpërmjet ngjyrës vjollcë është shumë i përshtatshëm për t'u kombinuar me ngjyrë bezhe të buzëve, apo edhe me ngjyra të ndezura. Për më tepër, nëse jeni femër më ekstravagante, mund të provoni edhe buzëkuqin me ngjyrë vjollcë.

(Kosova Sot Online)