Sekretet që duhet t'i dini për të pasur sy të bukur

  • 20 September 2019 - 15:14
Sekretet që duhet t'i dini për të pasur sy të bukur

PËRDORIMI I NGJYRAVE TË NDEZURA

Grimi i çelët duket bukur nëpër revista, mirëpo shumë shpesh ndodh që femrat të mendohen se si mund t'i përdorin këto ngjyra në jetën reale! Nëse edhe ju keni pyetje të tilla në kokën tuaj, atëherë filloni me aplikimin e një baze me ngjyrë të çeltë në kapakët e syve tuaj para se të vendosni grimin përfundimtar. Në ditët e zakonshme preferohet përdorimi i ngjyrës së zezë ose të kafenjtë, ndërsa për thyerjen e monotonisë së përditshmërisë, mund të përdorni ngjyra më të ndezura për hijezimin e syve.

THEKSONI NGJYRËN NATYRALE!

Mundohuni ta shfrytëzoni në maksimum ngjyrën natyrale të syve tuaj. Për femrat që kanë sy të gjelbër ose të kaltër të çelët rekomandohet përdorimi i hijeve dhe kufizuesve me ngjyra të familjes vjollcë. Hijet natyrale i theksojnë sytë e gjelbër. Ngjyra e kaltër e mbyllët dhe nuancat e tjera të ngjyrës së kaltër bëjnë që sytë me ngjyrë të kaltër të shkëlqejnë. Ndërsa, më fatlumet duket të jenë femrat me ngjyrë të kafenjtë, pasi që mund të përdorin nuanca të shumta, neutrale.

SYTË QË SHNDRISIN

Sytë e ndritur tregojnë shumë për shëndetin dhe bukurinë, mirëpo nganjëherë ne duhet t'u ndihmojmë syve, në mënyrë që ata të shndrisin. Përdorimi i pikave të syve për largimin e skuqjes mund t'ju ndihmojnë në këtë drejtim, mirëpo mos i përdorni këto pika më shumë se tri ditë rresht, pasi që mund të kenë efekt negativ. Trajtimi i vijës së brendshme të syve me laps të bardhë, ose me "liner" të zi gjatë natës, mund t'ju ndihmojë në këtë drejtim.

MBULIMI I SHENJAVE

Shenjat e zeza përreth syve ndikojnë më së shumti që ju të dukeni të lodhura, ndërsa mënyra më e mirë për t'i fshehur këto shenja është duke përdorur zbutës, para aplikimit të fshehësit. Mirëpo, kujdes ta mos e teproni me fshehësin, pasi që përdorimi i tepërt i tij mund ta tërheqë vëmendjen tek ajo zonë. Nëse jeni shumë të shqetësuar nga shenjat e zeza, përdorni grimin e syve "smokey", për ta tërhequr vëmendjen në pjesën e epërme të syve.

SHMANGNI QESKAT NËN SY!

Sy të fryrë? Të gjitha femrat kanë vuajtur të paktën një herë nga kjo gjë! Herën tjetër, kur ju jeni viktima e një efekti të tillë, përdorni krem që përmban kafeinë, për t'ju ndihmuar në largimin e ujit të tepërt. Shfaqja e qeskave mund të reduktohet edhe nëpërmjet reduktimit të përdorimit të çajit, kafesë, alkoolit dhe kripës, mirëpo nëse vëreni që qeskat përreth syve shtohen me kalimin e viteve, atëherë shpëtimin duhet ta kërkoni te ndërhyrjet me laser.

KREHJA E VETULLAVE

Krihni vetullat tuaja sa herë që gjeni kohë për ta bërë një gjë të tillë! Pasi që t'i keni krerë vetullat dhe keni arritur formën e dëshiruar, përdorni laps ose pudër për të vendosur ngjyrë në hapësirat, pastaj përdorni përsëri brushën për ta bartur ngjyrën nëpër të gjitha qimet e vetullave. Dukjen tuaj përfundojeni duke përdorur xhel për vetulla.

DREDHONI QERPIKËT!

Me kalimin e viteve, qerpikët fillojnë të rritën më drejtë, pra nuk janë më të kthyer. Përdorni dredhuesin e qerpikëve për t'i formësuar ata dhe për t'i përgatitur për maskarë. Qerpikët artificialë duken për mrekulli, mirëpo nëse keni qerpikë të gjatë natyralë, nuk keni pse të kërkoni artificialen!

ILUZIONET OPTIKE

Nëse keni sy, të cilët duken sikur janë të futur thellë, përdorni nuanca më të çelëta për t'i theksuar ata dhe theksoni më tepër linjën e qerpikëve. Theksoni skajet e jashtëm dhe shmangni hijet e zeza në skajet e brendshme. SHKËLQIMI NË SY Shkëlqimi nuk njeh moshë! Përdorimi i shkëlqimit në sy tanimë është shndërruar në një gjë shumë të rëndësishme për rutinën e grimit, pa marrë parasysh moshën. Një gjë shumë e rëndësishme që duhet ta keni në mendje është përdorimi i zbutësit në kapakët e syve, para aplikimit të shkëlqimit. Qëndroni larg nga hijezuesit me ngjyrë metalike.

(Kosova Sot Online)