Gjysma e britanikëve gënjejnë se e kanë lexuar një libër të caktuar

  • 07 October 2019 - 14:30
Gjysma e britanikëve gënjejnë se e kanë lexuar një libër të caktuar

Sipas një hulumtimi të ri, njerëzit gënjejnë kur pyeten se a e kanë lexuar një libër të caktuar, sepse besojnë që përgjigjja pozitive i bën ata të duken më të kulturuar.

Më shumë se gjysma e dy mijë personave të pyetur nga kanali “Sky Arts” rreth gënjeshtrës për leximin e librave, kanë pranuar se e kanë bërë një gjë të tillë të paktën një herë. Në mesin e librave për të cilët më së shumti britanikë kanë gënjyer se i kanë lexuar janë: “To Kill a Mockingbird”, “1984”, “War and Peace” dhe “The Odyssey”.

Një e treta e personave të anketuar thanë se kanë gënjyer për leximin e një libri që të duken më inteligjentë, ndërsa 37 për qind e tyre thanë se e bënë këtë thjesht sepse dëshiruan të bëhen pjesë e bisedës për një libër të caktuar.

Ata që morën pjesë në sondazh gjithashtu pranuan se kanë vendosur libra të caktuar në vitrinat e tyre për t’u dukur më të kulturuar, ndërsa disa të tjerë i kanë mësuar përmendësh disa pjesë të librave për t’u dukur njerëz më të “rëndë”.

Për më tepër, rreth 10 për qind e tyre e kanë publikuar në rrjetet sociale një fotografi me një libër “intelektualësh”, të cilin nuk e kanë shfletuar kurrë më, shkruan “Independent”.

(Kosova Sot Online)