Produktet natyrore për një fytyrë me shkëlqim

  • 08 October 2019 - 18:32
Produktet natyrore për një fytyrë me shkëlqim

Në industrinë kozmetike shpesh përdoren përbërës të cilët mund të sjellin më shumë dëm, sesa dobi. Për këtë shkak, përparësi duhet dhënë produkteve natyrore

MJALTI DHE DREDHËZAT

Mjalti organik ka shumë enzima mjekuese në përbërjen e vet, e farat e dredhëzave e përtërijnë lëkurën. Përzieni pak mjaltë me disa dredhëza të grira imtë dhe vendoseni këtë masë në fytyrë, që të qëndrojë 10-15 minuta, e më pas shpëlajeni.

SHEQERI

Sheqeri është i mrekullueshëm për përkujdesje ndaj fytyrës dhe trupit. Në disa lugë sheqer shtoni pak kokos, apo vaj të ullirit, mundet edhe pak lëng limoni. Shpëlajeni fytyrën me ujë të nxehtë dhe vendoseni masën e përgatitur me anë të lëvizjeve rrethore. Shpëlajeni dhe fytyra juaj do të jetë e butë dhe shkëlqyese.

FUNDËRRINA E KAFESË

Tanimë dihet se fundërrina e kafesë ka veti të mrekullueshme në luftë kundër celulitit. Me pak vaj ulliri apo vaj eterik të livandës, apo limonit, do ta keni një përzierje e cila shkatërron qelizat e vdekura dhe e ushqen lëkurën.

SODA E BUKËS

Ka shumë këshilla praktike sesi të përdoret soda e bukës, e njëra prej tyre është që të përdoret si përbërës i pilingut. Shpëlajeni fytyrën me ujë të nxehtë dhe bëni masazhe me lëvizje rrethore, me pak sodë të bukës. Në fund, shpëlajeni. Kjo është një recetë e dëshmuar për çdo lloj të lëkurës.

QULLI I TËRSHËRËS

Për qullin e tërshërës thonë se qetëson lëkurën e ndjeshme. Vetëm përziejeni me pak ujë të nxehtë dhe vendoseni në qafë dhe fytyrë. Shpëlajeni më pas dhe fshijeni fytyrën me peshqir.  

(Kosova Sot Online)