Dieta mediterane më e mirë se ajo me pak yndyrë

  • 26 November 2019 - 17:57
Dieta mediterane më e mirë se ajo me pak yndyrë

Ekzistojnë gjithnjë e më shumë dëshmi që njerëzit që adoptojnë një dietë gjithëpërfshirëse, siç është dieta mediterane, janë më pak të rrezikuar nga sulmi në zemër dhe vdekja e lidhur me sistemin kardiovaskular sesa ata që ndjekin një dietë me shumë pak yndyrë. Kjo pohohet në një studim të ri të publikuar para pak kohësh në 'The American Journal of Medicine'. Për të arritur te zbulimet e tyre, hulumtuesit kanë analizuar studimet e bëra që nga viti 1957 e deri në ditët e sotme, të cilat kanë kërkuar lidhjen mes ushqimit dhe sëmundjeve të zemrës.

Ekipi hulumtues, në të cilin ka qenë edhe Dr. James E. Dalen nga fondacioni 'Weil' dhe Fakulteti i Mjekësisë i Universitetit të Arizonës, thotë se studimet e hershme e kanë lidhur nivelin e lartë të serum-kolesterolit me konsumimin e yndyrës së ngopur, ndërsa më pas me shkallët e larta të sëmundjeve të zemrës. Zbulimet si ky e kanë shtyrë Shoqatën Amerikane të Zemrës që të rekomandojë që individët duhet ta kufizojnë konsumimin e yndyrës në më pak se 30 për qind të kalorive ditore, ndërsa yndyrën e ngopur e kanë kufizuar në 10 për qind të kalorive ditore dhe kolesterolin në më pak se 300 miligramë në ditë. 

(Kosova Sot Online)