Kozmetika natyrore për disa probleme të lëkurës

  • 17 February 2020 - 11:25
Kozmetika natyrore për disa probleme të lëkurës

Ja disa këshilla dhe receta natyrore për disa nga problemet më të shpeshta të lëkurës.

LËKURA E YNDYRSHME - TENI I ZBEHTË

Çaji nga majdanozi është efikas për tenin e zbehtë, të cilin duhet stimuluar dhe freskuar, e ai është efikas edhe për shpëlarjen e lëkurës së yndyrshme. Qitni një sasi (dy gishta) majdanoz në gjysmë litri ujë të sapovluar dhe menjëherë largojeni nga zjarri. Mbulojeni çajin dhe lëreni që të qëndrojë gjysmë ore. Më pas e kulloni atë, e pasi që të ftohet, e shpëlani fytyrën disa herë në ditë.

PUÇRRAT, PUÇRRAT E ZEZA, VENAT E ZGJERUARA

1. Kur të përdoret një herë në javë, kjo formulë bën mrekulli për rrudhjen e poreve dhe largimin e puçrrave të rëndomta dhe atyre të zeza. Tundeni të bardhën e vezës me një lugë kafe mjaltë. Vendoseni këtë masë në fytyrë dhe mbajeni 15 minuta. Shpëlajeni me ujë të vakët, e më pas me ujë të ftohtë. Fshijeni fytyrën me peshqir. 2. Ja edhe një recetë tjetër: Përzieni 80 gramë të elbit të bluar, 30 gramë mjaltë dhe një sasi të të bardhës së tundur të vezës. Vendoseni në fytyrë, sidomos rreth puçrrave. Përsëriteni përdorimin e kësaj mase derisa t'ju pastrohet fytyra në tërësi. Shpëlajeni fytyrën me ujë të ftojtë.

LËKURA E YNDYRSHME

1. Përzieni 8 deri 10 centilitra (gjysmë gote të rëndomtë) lëngu të kastravecëve, 8 deri 10 centilitra ujë të Hamamelisit (lloj bime) dhe 4 deri 5 centilitra ujë të trëndafilit. Me anë të majës së gishtave vendoseni këtë masë në fytyrë. 2. Çaji i sherbelës, i cili përgatitet si çaji i rëndomtë, është i thjeshtë, por shumë efikas për lëkurën e yndyrshme. Shpëlajeni fytyrën disa herë në ditë me këtë çaj të kulluar. 3. Nëse keni flegra të yndyrshme, atëherë përziejeni një lugë të kafes thartirë borike me një gotë uji të trëndafilit. Këtë losion e përdorni aq sa ka nevojë.

NJOLLAT E KUQE

Lëngu i limonit është preparat i vjetër për heqjen e skuqjes nga lëkura. Vendoseni dhe lëreni që të thahet. Përsëriteni këtë procedurë disa herë derisa të arrini rezultatet e dëshiruara.

RRUDHAT DHE STIAT

Pjesët e prekura ngjishni me gjalpë të kakaos. Ky preparat është i mrekullueshëm edhe për rrudhat midis vetullave dhe rreth gojës. Ndihmon edhe në largimin e ashpërsisë së lëkurës.

DUART ME LËKURË TË ÇARË

1. Përzieni 3 centilitra ujë të trëndafilit, 3 centilitra glicerinë dhe 1,5 centilitra ujë të Hamamelisit. Përzieni mirë para përdorimit. Përdoreni këtë losion si preventivë kur i keni duart e lagura, pasi që i keni fshirë me kujdes. 2. Vaji nga farat e susamit dhe vaji i bajameve po ashtu janë shumë efikas.

LËKURA E THATË

Dikur, mjekët e famshëm sovjetikë preferonin këtë për lëkurën e thatë: mos e lani fytyrën me sapun dhe ujë, por pastrojeni çdo mbrëmje me një copë pambuku të zhytur në vaj të ngrohtë bimor.

LËKURA E THATË QË KRUHET

Qitni gjysmë kilogrami flluska tërshëre në një copë arni dhe lidheni mirë. Zhyteni këtë leckë në banjë dhe relaksohuni duke bërë masazh të butë me qesen me flluska të tërshërës për rreth 20 minuta.

LËKURA QË QËROHET

Ja ilaçi bimor i cili i ka qëndruar testit të kohës: përzieni dy lugë të kafes flluska të tërshërës me mjaft vaj ulliri. Shtojeni një gotë uji të ngrohtë. Kur të ftohet, kullojeni këtë masë me një leckë. Vendoseni dy-tri herë në ditë dhe lëreni që të thithet. Këtë preparat nuk mund ta përdorni më shumë se 48 orë. Prandaj duhet ta përgatitni çdo dy ditë.

NJOLLAT E KAFTA

Shumë preparate janë përdorë për largimin e këtyre shenjave të plakjes. Njëri ndër preparatet më të vjetër nënkupton fërkimin me vaj ricini çdo mbrëmje derisa të largohen njollat. Disa njerëz preferojnë fërkimin me lëng të freskët të majdanozit. Mjekët preferojnë konsumimin e vitaminave C dhe E. Ekspertja e nutricionit Adelle Davish preferon marrjen e 100 njësive të vitaminës E pas çdo shujte.

PSORIAZA

Thuhet se thartirat e yndyrave të pangopura kanë efekt të dobishëm edhe kundër psoriazës. Testet kanë zbuluar se pacientët të cilët vuajnë nga psoriaza, kanë një nivel të ulët të thartirave të yndyrave të pangopura. Marrja e vajrave me anë të ushqimeve çon deri te tërheqja e sëmundjes.

AKNET

Asnjë problem i lëkurës nuk ka shkaktuar vëmendje aq të madhe sa aknet. Sipas revistës "Journal of the American Medical Association", ushqimet e varfra me yndyrë do të mund të ndihmonin në largimin e këtij problemi. Përpos dobisë së konsumimit të vitaminës A, tash është parë se më efikas është thartira e vitaminës A, e cila përdoret lokalisht. Sipas një studimi, një formulë bimore jep rezultate të mahnitshme për shërimin e akneve, ekzemës, furunkujve, si dhe dermatozave të ndryshme. Ja edhe receta e shumëpërfolur: Lulet e tërfilit të kuq - 60 gramë Rrënja e rrodhes - 60 gramë Rrënja e shpatores - 30 gramë Lëvorja dafinës - 15 gramë. Përzieni këta përbërës dhe qiteni një të katërtën e kësaj mase në gjysmë litri ujë të ftohtë. Qiteni ujin që të vlojë; lëreni që të zihet 20 minuta dhe kullojeni dhe lëreni që të ftohet. Merreni një gotë në ditë, derisa të arrihet përmirësimi i kënaqshëm.

EKZEMA

Kërkuesit shkencorë përmendin shumë raste kur rritja e madhe e thartirave të yndyrave të pangopura ka çuar deri te përmirësimet e dukshme. Vajrat përdoren në kuzhinë apo merren me lugë. Sipas një raporti shkencor, 87% e rasteve me ekzemë kronike kanë reaguar mirë me mjekim me vaj të misrit, derisa ilaçet tradicionale me vite nuk kishin dhënë asnjë rezultat.

(Kosova Sot Online)